Site icon Prishtinapress

Thaçi: Serbët në Kosovë s’janë kundër transformimit të FSK-së, kundër është Serbia

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në një debat të hapur me gazetarë dhe analistë politikë të komunitetit serb në Qendrën Mediale në Çagllavicë.

Presidenti Thaçi ka prezantuar edhe njëherë aty argumentet në mbështetje të transformimit të FSK-në në ushtri të Kosovës, duke thënë se kjo iniciativë e domosdoshme ligjore është ndërmarrë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Me misionin dhe detyrat e reja, presidenti Thaçi ka thënë se FSK-ja do të jetë një ushtri moderne, profesionale, shumetnike dhe e gatshme për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve.

Në Qendrën Mediale në Çagllavicë, presidenti Thaçi ka folur edhe për komunitetin serb dhe përfaqësuesit politikë të tij.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të bëjmë dallimin në mes të komunitetit serb në Kosovë, të përfaqësuesve politikë dhe interesave të tyre në raport me interesat e Serbisë në anën tjetër.

“Komuniteti serb në Kosovë është treguar konstruktiv, bashkëpunues dhe i interesuar për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në Kosovë, në paqe dhe prosperitet. Kosova është shtëpia e juaj. Është shtëpi e jona e përbashkët, që po e ndërtojmë të gjithë së bashku”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e Presidencës

Duke përmendur pjesëtarët e komunitetit serb, presidenti ka thënë se ashtu siç kontribuojnë ata për rendin dhe qetësinë publike në kuadër të Policisë së Kosovës, edhe si pjesë e FSK-së kontribuojnë dhe do të kontribuojnë edhe në të ardhmen për paqen dhe stabilitetin për të gjithë.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nevojitet që procesi i dialogut të marrë kualitet të ri.

“Komuniteti serb nuk është kundër transformimit të FSK-së. Serbia është kundër. Serbia ende kundërshton në çdo formë shtetin e Kosovës dhe pengon konsolidimin e shtetit të Kosovës, madje edhe kur kjo është në interes të serbëve të Kosovës, pra duke dëmtuar edhe vetë komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë të qytetarëve serbë të Kosovës që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, sepse, siç ka thënë ai, interesat e qytetarëve që u kanë dhënë votën më së miri mbrohen duke marrë pjesë në punën e institucioneve, jo duke i bojkotuar ato.

“Ndoshta është interes i Serbisë që t’i mbajë jashtë institucioneve të Kosovës përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, por kjo definitivisht nuk është në interes të vetë qytetarëve serbë në Kosovë. Na presin vendime të rëndësishme për të gjithë ne, jo vetëm ky për FSK-në, por edhe vendime tjera strategjike, si ai për Asociacionin, Demarkacionin dhe të tjerë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se e gëzon fakti derisa sheh gatishmërinë tek të gjithë që të bashkëpunojnë për të bërë më të mirën për qytetarët e Kosovës. Por, sipas tij, më e mira arrihet duke punuar në kuadër të institucioneve e jo duke qëndruar jashtë tyre.

Para gazetarëve dhe analistëve politikë të komunitetit serb në Çagllavicë, presidenti ka folur edhe për idenë e tij që në Kosovë të themelohet Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Presidenti Thaçi ka thënë se shteti i Kosovës është edhe shtet i serbëve të Kosovës dhe të gjithë duhet ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë.

Exit mobile version