Site icon Prishtinapress

Thaçi: Rrugën ma prenë drejt SHBA-së, komunikata për aktakuzë – goditje e fortë e mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur sonte për herë të parë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Specialja.

Presidenti ka thënë se lajmërimi i një aktakuzë ende të pa konfirmuar nga trupi gjyqësor është një skandal i madh, transmeton Telegrafi.

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës. Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës.Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh”, ka thënë Thaçi në adresimin e tij drejtuar qytetarëve.

Thaçi ka thënë se “asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik”.

“Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi”, deklaroi ai.

Presidenti ka theksuar se nuk ka bërë asnjë krim lufte por vetëm ka shkelur ligjin e Millosheviqit.

“Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit”./Telegrafi/

Exit mobile version