13.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Thaçi refuzoi ftesën e Dodikut për shkak të Kosovo*, marrëveshje të cilën 7 vjet më parë e mbronte

Kosova dhe Serbia, më 24 shkurt 2012, patën arritur marrëveshje në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në bashkëpunim rajonal, ku ishte dakorduar që Kosova të përfaqësohet në forumet rajonale me fusnotë.

“Pa paragjykim për pozicionin e palëve për statusin, në përputhje me 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, është teksti i fusnotës i dakorduar mes shefes së atëhershme të ekipit të bisedimeve të Kosovës, në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, Edita Tahirit dhe homologut të saj serb, Borko Stefanoviq.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, tash president, Hashim Thaçi, marrëveshjen e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, e quante “jashtëzakonisht të rëndësishme” dhe se, siç thoshte ai, “lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Ahtisaarit i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë evropiane”, raporton Koha.net.

“Jam shumë i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës. Por, e theksoj, se kjo formulë është e përkohshme”, thuhej në komunikatën për shtyp të lëshuar nga zyra e kryeministrit asokohe.

Thaçi thoshte se me këtë marrëveshje, “Kosova ka shënuar hapin e parë zyrtar në procesin e anëtarësimit në BE”.

Ndërsa shprehej i bindur se “koha do ta vërtetojë që vendimi i sotëm (shënim i redaksisë: Kosovo*) do të fuqizojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar, do ta fuqizojë shtetin tonë dhe të ardhmen tonë”.

“Asnjëherë, me asnjë kusht, me asnjë çmim nuk do të pranoja asnjë marrëveshje që nuk e fuqizon shtetësisë tonë. Sovraniteti dhe rregullimi ynë i brendshëm kushtetues assesi nuk guxon të ngatërrohet me përfaqësimin në forumet rajonale”, shprehej Thaçi.

Ai po ashtu theksonte se nuk cenohet statusi i Kosovës në këto takime ku nuk paraqitet epiteti “Republikë”.

“Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republikë edhe sot, kur do të përfaqësohet nga institucionet e Kosovës, pa UNIMIK, dhe me fusnotë të balancuar me Opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 shkurtit për Pavarësinë”, thoshte Thaçi.

Por, 7 vjet më pas, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po i pengon “fusnota e përkohshme” që “nuk cenon statusin e Kosovës”. Në një postim të sotëm në Facebook, ai tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, (SEECP) që mbahet të hënën në Sarajevë, për faktin se Kosova në këtë forum do të paraqitet me fusnotë.

“Zëri i Amerikës” raporton se kryesuesi i presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik, i ka bërë ftesë presidentit Thaçi, por ka theksuar se ai nuk është i ftuar në cilësinë e presidentit të Kosovës por përfaqësimi i tij do të jetë me një shënim (fusnotë).

Duke refuzuar ftesën, Thaçi shkroi se “Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina”.

“Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, shkroi presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, deklaroi Thaçi.

Edhe vitin e kaluar, qëndrimi i përfaqësuesit serb të Bosnjës, Dodik, kishte pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovë në takimin e këtij procesi që ishte mbajtur në Banja Llukë.

Bosnja, që është e ndarë në dy entitete, me një qeveri të brishtë qendrore në Sarajevë, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të qëndrimit të serbëve të Bosnjës që ndjekin politikën e Beogradit, i cili kundërshton shtetësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

SEECP, është një nismë e hedhur në vitin 1996 që synon forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe shndërrimin e zonës në hapësirë të paqes, sigurisë e qëndrueshmërisë me synim kryesor për integrimin e vendeve anëtare të nismës në strukturat euro-atlantike.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles