Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë të drejtë atij për dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka qenë i bindur se ka marrë vendim në përputhej me Kushtetutën dhe se partitë politike duhet të kenë respekt e përkushtim për ligjin e rendin si dhe për institucionet e Kosovës.
“E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkruan Thaçi.
Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendim lidhur me çështjen e mandatarit Hoti, në të cilën ka konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re.