Site icon Prishtinapress

Thaçi pas vendimit të GjK-së fton politikanët për maturi dhe respektim të Kushtetutës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretimin që ai i bëri Avdullah Hotit për kryeministër, ka kërkuar nga të gjithë politikanët që të sillen me maturi.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në plotëni.

“Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Presidenti Thaçi dekretoi Avdullah Hotin të enjten, ndërkohë LVV menjëherë e dërgoi në Kushtetuese.

Exit mobile version