Site icon Prishtinapress

Thaçi nuk tërheq kritikat ndaj Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe më tej qëndron pas letrës së tij për Gjykatën Speciale në Hagë, të cilën në nëntor të vitit të kaluar ia kishte dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Thaçi, konsideron që Gjykata Speciale në Hagë (Dhomat e Veçanta dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar) po bën të kundërtën e asaj që fillimisht ishte paraparë dhe për të cilën ishte arritur pajtimi.

Qëndrimi i tillë është shprehur në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e presidentit Thaçi, pasi që janë publikuar detajet nga përgjigja që atij ia ka dërguar sekretari Pompeo. Në atë përgjigje, Pompeo e siguron Thaçin, ndër të tjera, për punën e paanshme të Gjykatës në Hagë.

Nga vet Dhomat e Veçanta nuk kanë dashur që të komentojnë shkëmbimin e letrave ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit. Siç thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, në Hagë nuk i komentojnë zhvillimet politike.

“Në tërësi jemi të fokusuara për zbatimin e mandatit tonë në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe me ndryshimet kushtetuese”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, të dërguar nga Zyra e Gjykatës Speciale përmes postës elektronike.

Theksi i letrës së Thaçit

Presidenti Thaçi, konsideron që qëllimi i institucioneve të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë që puna e gjithë gjykatës të bëhet në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë dhe se “krijimi i institucioneve paralele” me siguri që nuk do të ndikojë pozitivisht në sistemin juridik të Kosovës. Gjithashtu, fillimisht ishte paraparë që të hetoheshin krimet e kryera në të dyja anët e konfliktit, e që nuk rezultoi ashtu.

Lidhur me këtë, Thaçi i kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Në letrën, të cilën e kanë publikuar mediat në Kosovë, autenticitetin e të cilës Radio Evropa e Lirë e ka konfirmuar në Zyrën e presidentit, në tre faqe e gjysmë të kësaj letre, Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, ka shkruar Thaçi në letrën e dërguar sekretarit Pompeo.

“Ky nuk është investim nga i cili përfitojnë qytetarët e Kosovës, në kohën kur investimet për forcimin e institucioneve gjyqësore dhe të prokurorisë janë mjaft të nevojshme”, ka shtuar Thaçi.

Përgjigja e sekretarit Pompeo

Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Puna e Dhomave të Veçanta në formatin aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e sekretarit Pompeo, autenticitetin e të cilës e ka konfirmuar Zyra e presidentit të Kosovës.

Thaçi nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij

Nga kjo zyrë kanë theksuar për Radion Evropa e Lirë që presidenti Thaçi “edhe më tej qëndron prapa letrës së tij, derisa të zgjidhen shqetësimet e theksuara në mënyrë të përshtatshme”.

Në letrën e tij, Thaçi flet se si gjykata edhe pesë vjet pas formimit, ka shënuar pak përparim në realizimin e mandatit të saj dhe që, para së gjithash, nuk e ka zbatuar mandatin e saj në mënyrën që është paraparë në shkëmbimin e letrave me Bashkimin Evropian dhe vendin nikoqir të gjykatës, Holandën. Konkretisht, ai thekson që qëllimi fillestar nga shkëmbimi i letrave me Bashkimin Evropian ka qenë që selia e gjykatës të jetë në Kosovë, ndërkaq që për procedurat e ndjeshme edhe në vendin e tretë, në këtë rast në Holandë.

“Me keqardhje të thellë, më duhet të shpreh shqetësimin tim për mënyrën me të cilën institucionet në fjalë vazhdojnë të punojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishte arritur pajtimi”, thuhet në letrën e Thaçit të dërguar sekretarit Pompeo.

Përderisa mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar integritet dhe siguri për proceset e ndjeshme është me rëndësi thelbësore, Thaçi ka shtuar që asnjëherë nuk ka qenë qëllim i institucioneve të Kosovës që i gjithë procesi të bartet në shtetin e tretë dhe të jetë “i hequr plotësisht nga sistemi ekzistues gjyqësor penal”.

“Krijimi i institucioneve paralele dhe ndërkombëtarizimi i procesit me siguri që nuk do të kenë ndikim pozitiv afatgjatë në sistemin juridik kombëtar”, ka thënë Thaçi.

Gjykata dhe pritjet

Thaçi ka theksuar që qëllimi për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë që të mundësohet ekzistimi i kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare të besueshme, i cili do të hetonte dhe do të procedonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.

“Në këtë drejtim, është paraparë që krimet që pretendohet se janë kryer nga të dy palët e konfliktit do të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë”, ka theksuar Thaçi.

“Është zhgënjyese të vësh re që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka investuar resurse domethënëse në hetimin e vetëm një grupi etnik, shqiptarëve të Kosovës, gjë që e minon besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit. Është më se e papërshtatshme që personat që janë përmendur në raportet publike, sikurse që është ai i senatorit zviceran Dick Marty në vitin 2010, kanë qenë të ekspozuar ndaj kërcënimit të hetimit dhe ndjekjes së mundshme për gati dhjetë vjet”.

Ai ka shtuar që ekzistojnë një varg opsionesh që Gjykata të mbetet në Hagë dhe që edhe më tej mundet të sigurojë qëllimet e të gjitha palëve.

Obligimet e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, e ka siguruar Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk është e drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie dhe ka shtuar që SHBA-ja pret nga të gjithë liderët e Kosovës që t’iu përmbahen obligimeve të dhëna qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën.

Arianit Koci, avokat nga Kosova në kuadër të Gjykatës Speciale, ndonëse në parim pajtohet me presidentin e Kosovës, ai thekson që reagimi i tij është i vonshëm sepse Kosova tashmë ka marrë mbi vete obligimet, të cilat duhet t’i respektojë.

“Unë nuk e di se çfarë marrëveshje ka pasur ndërmjet presidentit tonë, Gjykatës Speciale ose funksionarëve amerikanë, por e di se çfarë është miratuar (në Kuvendin e Kosovës). Unë kam qenë kundër Gjykatës Speciale në këtë format, kryesisht për shkak se kjo Gjykatë nuk do t’i hetojë kryerjen e krimeve të pretenduara nga të dyja anët e konfliktit. Kjo Gjykatë do të merret vetëm me pretendimet nga raporti i senatorit Dick Marty dhe dihet që ai raport merret vetëm me krimet e pretenduara të individëve të UÇK-së. Presidenti ynë është dashur të reagojë në këtë mënyrë para se të miratohen ligjet për Gjykatën Speciale”, thekson Koci.

Ai konsideron që ky shkëmbim i letrave ndërmjet presidentit Thaçi dhe sekretarit amerikan të shtetit Pompeo, absolutisht nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në punën e Gjykatës Speciale.

Çfarë është Gjykata Speciale dhe kush janë të intervistuarit?

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Veçanta dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është kopje e sistemit gjyqësor të Kosovës në miniaturë, në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Gjykata është formuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo kryesisht financohet nga Bashkimi Evropian. Prokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, më 14 shkurt, ka dorëzuar aktakuzat e para në gjykatë, të cilat, gjykatësi i procedurës paraprake, në këtë rast, gjykatësi francez Nicolas Guillou, në afat prej 6 muajsh duhet t’i konfirmojë ose t’i hedhë poshtë. Deri në vendimin e tij, përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale.

Prokurori në Hagë, deri më tash ka marrë në pyetje disa dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qoftë në cilësinë e të dyshuarve, qoftë në cilësinë e dëshmitarëve. Deri më tash, për t’u intervistuar deri më tash janë ftuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe udhëheqësit tjerë të UÇK-së, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, ndërkaq në fillim të dhjetorit të vitit 2019, për intervistim është ftuar edhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në raportin e senatorit Dick Marty, përmendet gjithashtu edhe emri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dikush që ka qenë në krye të “Grupit të Drenicës”, e të cilën, siç thuhet në raport, e kanë përbërë personalitete të spikatura të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi, gjatë kësaj jave, në një konferencë për media, i pyetur nga gazetarët se a është intervistuar nga Prokurori Special në Prishtinë apo në Vjenë, ka thënë që “nuk ka qenë i intervistuar asnjëherë, as në Prishtinë dhe as në Vjenë”.

Exit mobile version