Site icon Prishtinapress

Thaçi: Nuk guxojmë të rrezikojmë partneritetin dhe SHBA-në dhe mbështetjen e saj të jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës komentoi zhvillimet më të reja politike në Kosovë, duke vënë theksin në marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në.

Presidenti Thaçi theksoi se nuk guxojmë të rrezikojmë partneritetin me SHBA-në dhe mbështetjen e saj të jashtëzakonshme.

“Ne kemi mesazhin që Kosova duhet të jetë besnike e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë korrekte, e përgjegjshme dhe e sinqertë, dhe zotimet që i jep t’i realizojë. Në asnjë rrethanë me asnjë me asnjë politikë elektorale të politikës ditore nuk guxojmë të rrezikojmë këtë partneritet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë mbështetje të jashtëzakonshme sepse adresë tjetër Kosova nuk ka, të sinqertë e mbështetëse, përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, edhe në rrafshin gjeostrategjik, Kosova duhet ta ruajë dhe kultivojë edhe më fuqishëm këtë bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të. Në rrethana tjera me një kokëfortësi me një veprim populist do të mund të cenojë rëndë bashkëpunimin dhe mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

“Njëjtë, siç e përmendi edhe në mesazhin e tij edhe vet ambasadori Grenell, Kosova duhet t’i kryejë obligimet e veta, përgjegjësitë e veta dhe të jetë konkrete në opresionalizimin e çështjeve që janë me interes strategjik për Kosovën për Ballkanin Përendimor dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përndryshe mund të kemi pasoja në rrafshin politik e diplomatik të njohjeve të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, tha tutje Thaçi.

“Por, ç’është edhe më e keqja do të mund të ndalen edhe investimet ekonomike që do të ketë më pastaj edhe pasoja të riparueshme për zhvillimin ekonomik të vendit por edhe për hapat e mëtutjeshëm. Nuk ka çështje më e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që ndërlidh me politikat elektorale ditore, kur krahasohet cenimi i raporteve Kosovë – SHBA. Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk do të lejojmë që të ndodhë. Sepse mbi të gjitha është ky relacion që duhet të ruhet dhe kultivohet tash e 30 vjet, është një edukatë dhe kulturë politike dhe qytetare në Kosovë. Jemi popullata më pro-amerikane dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë vendimet e drejta, të shpejta, të qarta”, është shprehur presidenti Thaçi.

Tutje, Thaçi tha se kushdo që pretendon ta zëvëndësojë partneritetin e SHBA’ve me një adresë të përkohshme e ledhatuese, bën një gabim strategjik e historik.

“Mesazhi im si president i Kosovës është shumë i qartë, Kosova duhet të marrë vendime të drejta, të qarta, jo të koklavitura, jo të përsëritshme, por të plota, që sigurojnë dhe garantojnë besimin dhe partneritetin e plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata që pretendojnë me zëvendësu këtë partneritet me një adresë të përkohshme ledhatuese, bëjnë gabim strategjik dhe historik të orientimit gjeostrategjik të Kosovës me relacionin e përjetshëm dhe të besimit të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”

Gjithashtu, presidenti edhe njëherë kujtoi mesazhin e ambasadorit amerikan në Gjermani, z. Richard Grenell për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.

“Mesazhi i ambasadorit Grenell ka qenë i saktë dhe i qartë që kërkohen veprime të shpejta dhe në asnjë rrethanë Kosova të perceptohet në Washington apo kudo në botë si penguese e zhvillimeve në rajon apo të perspektivave të jashtme euroatlantike apo evropiane. Ne si Kosovë deri këtu kemi ecur duke punuar shumë ngushtë me SHBA-të. E kemi fituar bashkërisht Kosovën, e kemi ndërtuar pavarësinë e Kosovës, kemi fituar njohje dhe jemi anëtarësuar në organizata ndërkombëtare me mbështetje të SHBA-ve”, ka kujtuar Thaçi.

Presidenti foli edhe për liberalizmiin e vizave ku tha se Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat pa kushte.

“Liberalizimi i vizave të Kosovës nga Bashkimi Evropian duhet të vijë pa asnjë kushtëzim. Çdo pretendim tjetër është lojë, pretendim për zhagitje të proceseve dhe për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar”, ka thënë Thaçi në një intervistë për RTV 21.

Tutje, Presidenti foli edhe për takimet e tij me ambasadorin Grenell, kongresmenin amerikan dhe mikun e shqiptarëve Elliot Engel dhe sekretarin e shtetit amerikan, Mike Pompeon.

“Në mesin e takimeve kam takuar edhe kongresmenin amerikan dhe mikun e Kosovës, Elliot Engel, e falënderova për angazhimin e tij, punën e tij, për përcjellje nga afër të të gjitha zhvillimeve dhe mbajtjen në fokus të Kosovës në Kongresin Amerikan dhe në Senat.

Gjithashtu edhe takimi në Pentagon ishte një takim i shkëlqyer, ku ngrita cështjen që Kosova të lëvizë sa më shpejtë që të jetë e mundur deri te anëtarësimi i Kosovës në NATO, duke kaluar fillimisht programet e partneritetit për paqe. Kosova ka një ushtri moderne, moderne. NATO ka nevojë që ta ketë Kosovën brenda sepse e fiton një partner të besueshëm e të respektuar”

Tjetër takim i rëndësishëm ishte takimi me sekretarin e shtetit amerikan, Mike Pompeo, ku diskutuam për zhvillimet e reja në Kosovë, për zhvillimet e brendshme për ndërtimin e institucioneve që i ka ndodhur vendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Ishte konkludim edhe i sekretarit Pompeo që Kosova duhet të prodhojë argumente pozitive edhe për vetëveten edhe për partnerët e SHBA’ve të jenë më efikas në mbështetjen e Kosovës.

Ndërsa një takim tjetër i një rëndësie të vecantë dhe për sigurinë kombëtare, ishte takimi i djeshëm që zhvillova me Këshilltarin për Siguri Nacionale të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, me të cilin diskutuam për sigurinë e Kosovës, për hapat politik që do të marrim, për domosdoshmërinë e një marrëveshje finale në mes Kosovs dhe Serbisë që do të nënkuptonte domosdoshmërisht njohjen reciproke dhe që të lëvizet për Kosovën sa më shpejt drejt NATO-s dhe BE-së”.

Edhe njëherë, presidenti tregoi të arriturat e Kosovës në akordim me ambasadorin Grenell, ku përmendi marrëveshjet për linjën ajrore, hekurudhore dhe ndërtimin e autostradës Kosovë – Serbi.

“SHBA’ja me të ngarkuarin special z. Grenell për marrëveshjen Kosovë – Serbi ka treguar zotime dhe përgjegjësi të lartë se vetëm me SHBA’në dhe lidershipin e saj mund të arrihet një marrëveshje historike, paqësore, reciproke me njohje reciproke, për tu fokusuar pastaj njerëzit në ekonomi, jetë më të mirë, zhvillim. Njëjtë siç ishte mesazhi i z. Grenell për linjën ajrore të Kosovës dhe Serbisë, linjën hekurudhore, por edhe ndërtimin e autostradës”, shtoi presidenti Thaçi.

Exit mobile version