Site icon Prishtinapress

Thaçi nga Krusha: Gjithmonë duhet të kujtohen njerëzit që u vranë nga shteti serb

Gratë krushiane besojnë në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ndaj të cilëve Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë një propozim aktakuzë.

Ato të cilat humbën më të dashurit e tyre në masakrën e Krushës së Madhe, shpresojnë se drejtësia do të triumfojë për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Presidenti Hashim Thaçi ka vizituar të hënën kooperativën bujqësore “Krusha”, ku tha se sot është në fshatin ku forcat e Serbisë kanë kryer një prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Derisa shtoi se gjithmonë duhen kujtuar të gjithë ata të cilët humbën jetën padrejtësisht në këto masakra.

“Sot takova gratë e fshatit Krushë, gra shumë të vyera që jetojnë me punën e tyre me djersën prej duarve të tyre. Prandaj është një shembull i mirë që duhet të jemi edhe më tepër edhe ne si institucione pranë tyre. Por gjithmonë duke kujtuar njerëzit që janë vrarë nga shteti i Serbisë, këto masakra që ka quar peshë gjithë botën. Ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë, e natyrisht të mendojmë për fëmijët e fëmijëve të tyre që duhet të kenë një jetë të qetë, të lirë, të pavarur e të emancipuar, natyrisht me një mirëqenie të lartë sociale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Tash e më shumë se 17 vjet, me dhjetëra gra krushiane kanë themeluar ndërmarrjen “Krusha”. Për këtë drejtoresha, Fahrije Hoti thotë se u ndërtua me lot të të gjallëve dhe gjak të të masakruarve.

Sipas saj, Kosova dhe e gjithë bota e dinë se agresori serb kishte kryer krime makabre në vendin tonë.

“Ne jemi një grup i grave që jemi themeluar në vitin 2003 dhe do të vazhdojmë të punojmë. Sot ka qenë një nder i madh për neve ta kemi nikoqir të fabrikës presidentin Thaçi. Presidentit i uroj shëndet dhe shpresojmë që çdo gjeneratë e re ta kujton dhimbjen dhe ta kujton luftën. Këtu është ndërtuar një punishtë, një kooperativë me lot dhe me gjak. Me lot të grave të nënave dhe fëmijëve, ndërsa me gjak të atyre që sot e asaj dite nuk e dinë ku janë edhe gjurmët. Me gjak të njerëzve që janë vrarë dhe janë zhdukur nga paramilitarët serbë”, tha ajo, raporton KP.

Në propozimaktakuzën e bërë publike më 24 qershor, pretendohet se Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”.

Hoti tha se beson në pafajësinë e tyre, derisa shtoi se njerëzit e luftës po gjykohen padrejtësisht.

“Unë e vlerësoj të padrejtë se çdo ushtar i Kosovës, ndaq presidenti, ndaq kryetari Kadri Veseli kanë mbrojtur pragun e vet. Këta nuk kanë shkuar të kryejnë krime në Serbi, por paramilitarët serbë. Ushtarët kanë qenë ushtarë, por fëmijët tre muajsh nuk u ka bërë asgjë atyre. Pa të drejtë po gjykohen njerëzit e Kosovës. Kjo është e padrejtë dhe besoj që drejtësia do të triumfojë dhe beson që do të dalin të pafajshëm”, tha Hoti.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bën prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.

Exit mobile version