Thaçi: Nëse ka nevojë, të jemi të gatshëm për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

0
73

Pas konfirmimit të viktimës së para nga coronavirusi në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se në rast nevoje, institucionet duhet të jenë të gatshme që menjëherë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Thaçi, përmes një postimi në Fcebook, i  ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës së parë nga coronavirusi në Kosovë.

Presidenti  tha se qytetarët duhet të zbatojnë masat e vendosura dhe të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të mos përhapet virusi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen nga Dumnica e Podujevës, anëtari i së cilës është viktima e parë e virusit COVID-19 në Kosovë. Institucionet shëndetësore i falënderoj për përkushtimin, vendosmërinë dhe profesionalizmin që po tregojnë në këto rrethana të rënda. Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë! HTH”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi kërkesën për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme e kishte bërë edhe më herët pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë gjë që ishte refuzuar nga kryeministri Albin Kurti.

Në Kosovë të dielën është shënuar viktima e parë nga coronavirusi. Deri më tash, 31 persona janë të prekur nga ky virus.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha të dielën se ka kërkuar masa shtesë nga qeveria për mbrojtjen e shëndetit publik. /Telegrafi/