Site icon Prishtinapress

Thaçi konfirmon takimin me Vuçiqin, kërkon të raportojë në Kuvend të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se ka përfunduar  takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Thaçi ka pohuar se Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.

“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, ka shkruar Thaçi në Facebook, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë.

“SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi dhe Vuçiq kanë qenë në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara, gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin veprime, që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa nga Beogradi kërkojnë t’i japë fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Brenda më pak se një muaji, Shtetet e Bashkuara kanë siguruar dy marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve.

Exit mobile version