Site icon Prishtinapress

Thaçi beson në arritjen e marrëveshjes me Serbinë gjatë administratës së presidentit Donald Trump

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi shprehu besimin se në një të ardhme të afërt do të rifillojë procesi i dialogut ndërmjet Kosovës-Serbisë, ndërsa tha se asnjëherë nuk kanë pas dilemë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ai shprehu besimin se me administratën amerikane të udhëhequr nga presidenti Donald Trump dhe rolin aktiv dhe shumë energjik të ambasadorit Richard Grenell, gjërat do të lëvizin drejt një procesi produktiv dhe efektiv të dialogut dhe me ndonjë marrëveshje përfundimtare që sjell njohjen reciproke si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Thaçi kështu deklaroi pas homazheve që ia bëri memorialit të ushtarëve të rënë të KFOR-it, duke thënë se Kosova çdoherë e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE).

“Këto ditë shënojmë ditët e lirisë së Kosovës dhe në të njëjtë kohë momentet e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ku u dha masazhi i qartë akti i kapitullimit të Serbisë… Sot jam këtu që të nderojë ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Punojmë ngushtë që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. E tash kur  kemi një situatë të favorshme që të punojmë për fuqizimin e shtetit tonë, duhet të mobilizohem të gjithë, pa dallime politike. Asnjëherë nuk kemi pas dilemë në mbështetjen e ShBA-së, dhe kjo dilemë nuk duhet të vihet kurrë nga askush. Ka qenë një vendim i pritur i SHBA-së, sepse me prezencën e trupave të tyre ka paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon. Duhet të jemi shumë të përgjegjshëm në hapat tona, përballë ndërkombëtarëve dhe SHBA-së. Kam besim të plotë se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga presidenti Trump dhe rolin aktiv dhe shumë energjik të ambasadorit Grenell, gjërat do të lëvizin drejt një procesi produktiv dhe efektiv të dialogut dhe me ndonjë marrëveshje përfundimtare që sjell njohjen reciproke të të dyja vendeve, Kosovë – Serbi dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, me heqjen e masave të reciprocitet nga ana e Qeverisë së Kosovës shpreson dhe beson që në një të ardhme të afërt do të rifillojë procesi i dialogut, dhe siç tha ai Serbia nuk ka asnjë pretekst për vonesa të dialogut.

“Nuk mund të flas për ditë, javë, muaj, por shpresoj dhe besoj që do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Besoj në zotimin e SHBA—së se do të ndërmarrin hapat e duhura në veçanti pas heqjes së barrierave që e pengojnë zhvillimin e dialogut, nga ana e qeverisë së Kosovës. Serbia nuk ka asnjë pretekst, përkundrazi çdo vonesë do t’i atribuohet asaj”, tha ndër të tjera presidenti i vendit.

I pyetur se a do të jetë sërish pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, ai tha: “roli i presidenti të vendit është i qarët. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin brenda dhe jashtë. Hierarkia institucionale e Kosovës është e qartë, mbi çdo ego, aspiratë apo injorancë”.

Presidenti Thaçi, u pyet edhe për heqjen e flamurit të Kosovës nga zyra e zëvendëskryeministrit, Goran Rakiq. Sipas tij, çdo zyrtar i cili nuk respekton simbolet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk mund të jetë në ato zyre.

“Përfaqësuesit e komuniteteve i kanë respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës përndryshe kush nuk i ka respektuar nuk mund të jetë në ato zyre… Pyeteni kryeministrin Hotin”, ka thënë ai.

Exit mobile version