Site icon Prishtinapress

Thaçi: Bashkësia ndërkombëtare të mos lejojë Serbinë të vendos kushte të reja

Pas takimit me delegacionin e zyrtarëve nga Franca dhe Gjermania, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë para mediave.

Në këtë deklarim, Thaçi tha se angazhimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe i kancelares gjermane, Angela Merkel është inkurajues.

Sipas tij, në këtë takim kanë theksuar se taksa është vendim legjitim dhe se e njëjta duhet të mbetet në fuqi.

Ai ka kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare që të mos lejojë Serbinë të vë kushte të reja për vazhdimin e dialogut, derisa shtoi se takimi në Paris do të ndodh më apo pa disponimin e presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

“Ishte një angazhim inkurajues i presidentit Macron dhe kancelares Merkel që të ketë përgatitje më të mira për Samitin e Parisit, që të jetë një samit që i hap një perspektivë vazhdimësisë së dialogut Theksuam shumë qartë se tarifa duhet të mbetet në fuqi është një vendim legjitim në anën tjetër duhet të respektohen marrëveshjet e arritura më 2013 nga të gjitha palët. Dialogu duhet të ndodh por edhe takimi i Parisit i pakushtëzuar ky takim do të ndodh pavarësisht disponimit ose jo të Vuçiqit. Askush nga Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që Beogradi të vë kushte. Në asnjë rrethanë nuk do të pranoj kushte të reja për heqjen e vizave”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.

Delegacioni francez që është duke qëndruar në Kosovë përbëhet nga Alexandre Adam, zëvendëskëshilltar në kuadër të Presidencës së Francës, Thomas Bertin, Shef i Misionit për Ballkan në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Francës, si dhe nga ambasadori Didier Chabert dhe Carole Blestel-Feffer.

Kurse, ai gjerman nga Matthias Lüttenberg, Shef i Divizionit për Marrëdhënie Bilaterale për Lindjen e Mesme dhe Evropën Jugore, nga Christian Hellbach, i cili është i Dërguar Special për Evropën Juglindore dhe Turqinë pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, si dhe nga ambasadori gjerman Christian Heldt.

Exit mobile version