Site icon Prishtinapress

Tërmeti që po themelon diktaturën

Artur Zheji

Është e kotë t’i vijmë anash dhe të themi stërhollime. Diktatura ishte e nëndheshme deri dje, para tërmetit të 26 nëntorit, tani doli krejt në sipërfaqe me përmasat e saj të plota. Arroganca e djeshme e Ramës u shndërrua në brutalitet verbal, gjestual dhe në veprim. Së pari pushtoi ekranin apo ekranet, nga ora 7 e mëngjesit deri në darkë, pa pushim, pa dialog, pa dëgjesë, vetëm urdhra, porosira, “mençurira” dhe një përrua psikik që gurgullon të njoma dhe të thata, koncepte me gungë apo të dysta, e, kështu, daç haje, daç mbyll TV.

Pastaj, Kryeministri e përcaktoi sloganin: “Do të ndërtojmë lagjet e reja të Rilindjes”. Nënkupto këtu, o vëlla lexues, që nuk i tremb tërmeti, as shiu dhe as qameti, se kështu na premtoi dhe na dha llafin mbreti…

Pastaj ai, KM-ja krejt pa gjumë, me nervat “tel” e “kaçurrel”, bëri për një lek edhe djalin e tij shpirtëror të viteve të fundit, “lali Erin”, alias Erion Veliaj.

Para kamerave e shndërroi publikisht kryebashkiakun e kryeqytetit në një bojaxhi, “no name, no face, no person”, që duhet të bindet të lyejë shkallët e pallatit ku ay, “Il grande capo” ose “Sulltani i vogël”, ngjitet për qoka ose ngushëllime patetike…

Provën gjenerale e kishte bërë ca orë më parë me Elisa Spiropalin dhe dashurinë e saj të sinqertë politike për Kryeministrin suprem, kur e turpëroi pa shkak e për llastim të vet, thjesht se vajza entuziaste, ish-kryetare Doganash, por edhe ish-kryefreshiste trime, vite apo shekuj më parë, e duartrokiti vrullshëm “Udhëheqësin” (italisht “Il Duce”)

Por, Elisa, ish-kryefreshistja trime e ish-anti-nanoiste e ish-anti-berishiste e paepur, e duartrokiti pa leje edhe kur ai nuk kishte kruar ende kokën apo kafkën e thinjur…

Po nejse, qoftë Elisa e qoftë lali Eri, shërbyen për diçka, na bënë më dijehapur, se Udhëheqësi (italisht “Il Duce”), nuk pyet as për ta dhe se ata të parët duhet të fshijnë nga koka iluzionet e demokracisë në këtë vend të tërmetosur…

Për t’u kthyer në temën e fillimit, Rama, si hap të dytë, e shndërroi “tërmetin 26 nëntor”, në një gur themeli për të mbaruar projektin e vendosjes së plotë të diktaturës.

Ndërkohë që shumë shtëpi e pallate që po prishen mbajnë akoma vulën e mëkatit vrastar, të bashkëpunëtorëve të tij në Durrës apo të atij vetë në Tiranë. Kush pyet sot për këtë?!

Sepse sot e gjithmonë e më shumë edhe nesër, të gjitha në një dorë do të mblidhen grusht, Prokuroria, Parlamenti komik, dhe …

Dhe … gjeneral Lleshaj, që po i hanë duart dhe fantazitë e paragjumit për një luftë rrafshuese dhe kësaj radhe përfundimtare, me gaz e shkopinj e me plumba gome ndaj opozitarizmit, kudo që të shfaqet. Mjafton të fishkëllejë Udhëheqësi!

Por, edhe opozitën, në qoftë se ka një opozitë, duket se e ka zënë edhe atë “tërmeti 26 nëntor” dhe për këtë vërtet që nuk ka faj Rama…

Exit mobile version