Site icon Prishtinapress

Tërheqja e parave të Trustit dhe ndihma për bizneset, në pritje të një ligji të ri

Bizneset të cilat kanë pësuar humbje nga pandemia e coronavirusit, duhet të presin edhe miratimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të fillojë së zbatuari Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

Një nga bizneset që ka pësuar humbje financiare për shkak të pandemisë është fabrika e vajit “Inter-Company” nga Podujeva. Pronari i kësaj kompanie, Sylejman Konushevci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është duke pritur përkrahje financiare nga Qeveria e Kosovës.

Konusheveci, nuk tregon ndonjë vlerë të humbjeve, por thotë se humbjet janë jashtëzakonisht të mëdha, pasi sasia e prodhimit ka rënë deri në 50 për qind.

“Humbjet kanë qenë katastrofale. Tani, që të stabilizohet situata dhe të vijnë në tredin e para-pandemisë, dy vjet nevojiten për stabilizim. Ne po shpresojmë që qeveria do të na ndihmojë. Mirëpo po presim, po premtojnë, nuk e di…Çfarëdo vlere qoftë nga qeveria, kompanisë sonë do t’i ndihmonte”, tha Konushevci.

Por, edhe pritjet e Konushevecit varen nga miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik dhe synohet që përmes politikave fiskale dhe monetare të ndihmohen bizneset, rrjedhimisht edhe ekonomia e përgjithshme e vendit.

Pakoja për rimëkëmbje ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove.

Por, për hyrjen në funksion të këtyre mjeteve, pritet miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Komisionin për buxhet dhe financa të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pret “që kuvendi të miratojë këtë javë edhe Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, për të hapur rrugë për zbatimin e të gjithë Pakos për rimëkëmbje ekonomike”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 22 korrik ka aprovuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID- 19 (sëmundja që e shkakton coronavirusi).

Me anë të këtij projektligji ndryshohen dhe plotësohen ligjet siç janë: Ligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Ligji për fondet pensionale të Kosovës, Ligji për tatimin në të ardhurat personale, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, etj.

Çka parasheh Projektligji për rimëkëmbje ekonomike?

Në Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Më pas, mjetet e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike, përjashtuar kategorinë e pagave dhe shtesave.

Si dhe me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave.

Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.

Ky ligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejtë të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.

Ku do të sigurohem paratë për Pakon e rimëkëmbjes?

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se nuk janë të siguruara të gjitha fondet e Pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Prandaj, sipas tij, disa fonde do të sigurohen përmes granteve, pjesa tjetër nga marrëveshjet ndërkombëtare që presin ratifikimin e kuvendit si dhe një pjesë e mjeteve do të merret nga Fondi i Privatizimit.

Përveç Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, që pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti kishte miratuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë euro. Këto mjete ishin ndarë për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që janë shkaktuar nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Në bazë të Pakos emergjente fiskale, me nga 130 euro, respektivisht 170 euro janë paguar punëtorët të cilët nuk kanë punuar në muajin mars dhe prill dhe është bërë pagesa e 50 për qind të qirasë. Por, për muajin prill, ende nuk është bërë pagesa për shkak se buxheti i rishikuar për vitin 2020 nuk ishte i miratuar. Rishikimi i buxhetit u miratua më 30 korrik.

Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të hënën, më 3 gusht, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ministrat e resoreve ekonomike kanë marrë detyrat për të bërë përgatitjet për zbatim të masave për ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve. Sapo të hyjë në fuqi Ligji i buxhetit, do të nisim me pagesat e mbetura përgjysmë”, ka shkruar Hoti.

Kuvendi i Kosovës, më 30 korrik, ka miratuar Projektligjin për rishikim të buxhetit për vitin 2020. Sipas, Kushtetutës se Republikës se Kosovës, deri në tetë ditë pas miratimit të një ligji nga kuvendi, i njëjti duhet të shpallet edhe nga presidenti i Republikës. Pas kësaj, ligji hyn në fuqi, 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Kosovës, përveç nëse, në vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe.

Exit mobile version