Site icon Prishtinapress

Të shtunën nis kthimi i shqiptarëve të mbetur jashtë, Balluku: Karantinim të detyrueshëm në Durrës

“Duke filluar nga dita e shtunë Air Albania do të nisë fluturimet nga disa destinacione për ata që duan të kthehen në atdhe.” kështu është shprehur ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku gjatë një deklarate për mediat.

Ndërkohë për sa u përket kushteve të karantinës që duhet të plotësojnë këto qytetarë që do të kthehen në Shqipëri, Balluku ka njoftuar se janë bërë disa marrëveshje me disa hotele në Durrës, që do të shërbejnë si vend karantinimi për 14 ditë.

Balluku ka sqaruar se kushdo që do të kthehet do të duhet të rezervojë online në Air Albania  ndërkohë që kur të mbërrijnë në Rinas do të verifikohet gjendja shëndetësore e secilit pasagjer ku më pas do të shoqërohen për karantinim në Durrës.

Sipas Ballukut sistemi do të jetë gati nga dita e enjte në orën 10:00. Për çdo paqartësi do të vendosim disa numra kontakti” tha ajo.

Deklarata e Ballukut:

Të nderuar bashkëqytetarë. Shqetësimi juaj për procesin e riatdhesimit, tashmë ka gjetur një zgjidhje.

Pas grupit të parë të riatdhesimeve që kemi kryer para pak ditësh, për të gjithë ata qytetarë të cilët janë konsideruar në bazë të kritereve të vendosura nga Qeveria Shqiptare, si grupe në nevojë, pra studentët dhe rastet humanitare, tashmë jemi angazhuar për të zgjidhur më gjerë këtë çështje shumë sensitive.

Në një bashkëpunim të ngushtë mes ministrive të përfshira në këtë proces kemi arritur të krijojmë një mekanizëm të sigurtë për riatdhesimin tuaj, një mekanizëm, i cili nuk do të afektojë rezultatet pozitive që kemi arritur deri tani për mbrojtjen ndaj përhapjes së COVID 19.

Masat e marra nga Qeveria Shqiptare do të respektohen rigorozisht edhe gjatë këtij procesi, përmes protokolleve të dizenjuara me kujdes nga instituti i shëndetit publik.

Duke filluar nga dita e shtunë, datë 18 prill, “Air Albania” do të nisë fluturimet nga disa destinacione europiane, të cilat janë vlerësuar nga ne, si pikat kryesore për të kryer transportin e udhëtarëve shqiptare, të cilët duan të kthehen në atdhe.

Për të plotësuar kushtet e karantinimit ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka arritur një marrëveshje me disa struktura hotelerie, në zonën e Durrësit, të cilat kanë shprehur vullnet për t’u transformuar në struktura karantinimi COVID-19.

Transporti ajror për procesin e riatdhesimit do të kryhet nga kompania flamurmbajtëse “AIR ALBANIA”.

E gjitha kjo paketë ku përfshihet transporti ajror dhe strukturat e hotelerisë, të vendosura në dispozicion të karantinimit, do të mund të rezervohet online me pagesa të arsyeshme, të cilat garantojnë shërbimin tuaj në kushtet e sigurisë sanitare dhe atyre shëndetësore.

Për të kryer rezervimin e paketës së riatdhesimit tuaj, fillimisht duhet të aksesoni faqen e internetit AIRALBANIA.com.al dhe më pas rubrikën riatdhesime.

Klikoni në linkun e hotelit, për të zgjedhur paketën që ju përshtatet dhe më pas konfirmoni formularin elektronik të kushteve të karantinimit. Ky formular do të firmoset nga ju fizikisht gjithashtu në momentin e lëshimit të bordin pass në sportelet e Air Albanias në aeroportet nga të cilët do të udhëtoni.

Ju lutem lexoni me kujdes kushtet e vendosura në atë formular, pasi nuk do të tolerojmë askënd, që do të thyejë rregullat e vendosura dhe të pranuara, duke vënë në rrezik sigurinë shëndetësore të të gjithë qytetarëve shqiptarë, përpjekjet e secilit prej nesh, në këtë luftë me armikun e padukshëm.

Pasi të keni pranuar kushtet e karantinimit, ju mund të procedoni me pagesën elektronike për 14 ditët e qëndrimit në strukturën akomoduese.

Në emailin tuaj do t’ju mbërrijë konfirmimi i rezervimit të akomodimit, së bashku me një kod unik identifikues, të cilin do ta përdorni për të vijuar me rezervimin e biletës së avionit.

Pra kthehuni në faqen e Air Albanias dhe me kodin që tashmë posedoni kryeni rezervimin e biletës dhe pagesën e saj. Kështu do të keni përfunduar procesin e rezervimit të riatdhesimit tuaj.

Air Albania do t’ju dërgojë elektronikisht të gjitha detajet e fluturimit tuaj, aeroportin përkatës, ditën dhe orën e saktë të fluturimit.

Me mbërritjen në aeroportin e Rinasit, strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kujdesit Social do të verifikojnë gjendjen tuaj shëndetësore, dhe më pas të shoqëruar nga mjetet e transportit, të cilat ofrohen nga strukturat akomoduese, nën shoqërimin e Policisë së Shtetit, do të drejtoheni për në zonën e Durrësit.

Qëndrimi në karantinë do të zgjasë për 14 ditë dhe vetëm pas verifikimit nga stafet mjekësore të gjendjes tuaj shëndetësore, ju do të ktheheni në shtëpitë tuaja, sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura nga Qeveria Shqiptare gjatë periudhës së pandemisë.

Dua t’ju bëj me dije, gjithashtu se fluturimet e “Air Albania”, të cilat do të nisin me Romën këtë fundjave, por do të pasohen edhe me destinacione të tjera, mund të përdoren për të udhëtuar nga Tirana drejt Italisë, nga qytetarët italianë, apo shqiptarë, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme për të jetuar dhe punuar në shtetin fqinj.

Edhe në këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë të interesuarve, që të respektojnë të gjitha kërkesat dhe rregullat e vendosura nga shteti Italian, për procesin e riatdhesimit.

Sistemi elektronik për rezervimet online do të jetë i disponueshëm duke filluar nga dita e enjte, ora 10:00.

Për çdo paqartësi që do të ndeshni gjatë procesit të riatdhesimit NE do të vendosim në dispozicionin tuaj disa numra kontakti, ku mund të gjeni përgjigje apo ndihmë.

Qeveria Shqiptare është e angazhuar për të realizuar me sukses riatdhesimin tuaj, por pa cenuar asnjë nga masat dhe rregullat e vendosura për mbrojtjen nga COVID -19.

Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.

Vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë luftë me armikun e padukshëm.

Kemi sakrifikuar jo pak, për të arritur deri këtu, ndaj nuk duhet të humbim vigjilencën kundrejt këtij armiku dinak, i cili nuk kursen askënd.

Urojmë të jeni të gjithë mirë me shëndet dhe të vini sa më shpejt në Shqipëri.

Exit mobile version