Site icon Prishtinapress

Të rinjtë e kryeqytetit të kënaqur me gatishmërinë e Ministres Dumoshi për t’i përkrahur të rinjtë

Ministrja Vlora Dumoshi ka pritur sot në një takim një grup të rinjsh nga Komuna e Prishtinës, me të cilët diskutoi për problemet, sfidat dhe pritshmëritë që kanë të rinjtë, jo vetëm të kryeqytetit por në tërë vendin.

Ministrja i njoftoi të rinjtë kryeqytetas për politikat dhe programin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për fushën e rinisë. Ajo gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë diskutoi por objektivat dhe strategjinë që ka MKRS-ja për të rinjtë, aktivizimin e tyre të mëtejmë në jetën sociale e institucionale dhe në avancimin e tyre në përgjithësi.

Ndër të tjera, ministrja Dumoshi i informoi të rinjtë se do ta kenë mbështetjen dhe përkushtimin e plotë të saj në bashkëpunimin me ta për të çuar përpara synimet e përbashkëta të MKRS-së dhe interesat e të rinjve përmes aktiviteteve e projekteve konkrete ku të rinjtë e Republikës së Kosovës, përpos shkëmbimit të përvojave të mira në kampet që do të organizohen me mbështetje të ministrisë, do të përkrahen edhe do të rritet bashkëpunimi me Këshillat për Veprim Rinor Lokal (KVRL-të) anë e kënd komunave të Kosovës.

Në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve të organizatave rinore, Ministrja Vlora Dumoshi, u shpreh se organizatat që merren me rininë do të subvencionohen në ngritje të kapaciteteve të tyre për të nxitur nismat kreative, për të përkrahur integrimi shoqëror të të rinjve përmes kulturës, sportit e rekreacionit, dhe organizimet tradicionale të të rinjve, siç është Dita Ndërkombëtare e Rinisë më 12 gusht.

Po ashtu ministrja u shpreh se do të angazhohet maksimalisht në mbështetje të të rinjve ku do të ketë rritje të vazhdueshme të buxhetit për këtë sektor jetik të shtetit të Kosovës, do të jetësohet strategjia për rini duke zbatuar aktivitetet që parashihen sipas planit të veprimit dhe programit që ka MKRS-ja për rininë në Kosovë.

Ministrja i kushtoi vëmendje dhe përmendi edhe përfaqësimin e të rinjve në nisma kombëtare e ndërkombëtare qofshin ato të rajonit apo më gjerë, duke e konsideruar se këto nisma janë edhe një përvojë e mirëseardhur për të rinjtë në Kosovë, të cilët do të kenë mundësinë e zbulimit dhe zhvillimit të interesave dhe talenteve të tyre. Këto përfaqësime rinore po ashtu do të rrisin kohezionin social ndëretnik mes të rinjve.

Nga ana e tyre, të rinjtë e uruan Ministren Dumoshi për detyrën e re dhe shpalosën disa prej ideve dhe pritshmërive që kanë prej saj si ministre dhe MKRS-së. Ata u shprehën të kënaqur me gatishmërinë e ministres Dumoshi për të mbështetur të rinjtë dhe theksuan se shpresojnë se do të gjejnë mirëkuptimin dhe përkrahjen për projektet që kanë për qëllim të realizojnë në të ardhmen.

Exit mobile version