Site icon Prishtinapress

Të padisësh kryeministrin e Kosovës dhe të përqafosh kryeministrin e Serbisë

Mark Marku

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur padi kundër kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një Gjykatë të Prishtinës.

Ajo që bie në sy është fakti se kryeministri Rama ka gjetur pikërisht ditën kur në Kosovë përkujtohej Masakra e Reçakut, për të ngritur një padi kundër Kryeministrit të Kosovës. Edhe miku i Ramës, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq, nuk do të kishte shkuar aq larg sa ta hidhte në gjyq pikërisht këtë ditë kryeministrin e Kosovës. Miku i tij serb, Aleksandër Vuçiq, e ka mohuar përgjegjësinë serbe për Masakrën e Reçakut, por nuk mund të shkonte deri në atë pikë sa pikërisht në atë ditë kur paramilitarët e idhullit dhe komandantit të tij, Voisllav Sheshel, masakronin shqiptarët, të hidhte në gjyq kryeministrin e tyre, i cili është njëherësh edhe komandant i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës kundër kësaj barbarie.

Por, ja që kryeministri i Shqipërisë guxon dhe e bën një gjë të tillë. Inati ndaj homologut të tij shqiptar, i cili e ka akuzuar se po bën matrapazllëqe me serbët në kurriz të shqiptarëve, qenka më i madh se inati ndaj homologut të tij serb, i cili, pikërisht në momentin kur masakroheshin shqiptarët, mbështeste Sheshelin dhe Millosheviqin. Prej gjashtë vitesh i kemi parë të dy bashkë, Ramën e Vuçiqin, duke u endur nëpër viset ballkanike, në një klounadë diplomatike, hokatarë, miqësorë, sportivë, duke projektuar ndarje kufijsh e hapësira të përbashkëta miniShengeni.

Asnjëherë kryeministri shqiptar Rama nuk i ka kërkuar kryeministrit serb ndonjë reflektim apo prononcim për masakrat ndaj shqiptarëve; asnjëherë nuk i ka shkuar në mendje të bëjë ndonjë hap për të kërkuar ndonjë proces gjyqësor ndërkombëtar për autorët e këtyre masakrave. Ia ka falur Vuçiqit të gjitha, edhe kontributin në masakrat e Sheshelit, edhe deklaratën se nuk ka pasur një masakër në Reçak. Por, nga ana tjetër, kryeministrin Haradinaj nuk e fal për akuzat e tij. Me gjithë hallet e mëdha që ka si lider i madh botëror, sidomos me angazhimet e fundit për zgjidhjen e konflikteve ruso-ukrainase dhe amerikano-iraniane, ai gjen pak kohë sa për t’u marrë me kryeministrin e Kosovës, duke i ngritur padi në Gjykatë.

Përtej sarkazmës, akti i kryeministrit shqiptar është sa i shëmtuar, aq edhe tregues i faktit se me delirin e tij, Edi Rama si kryeministër ka arritur të bëjë atë që s’e ka bërë asnjë nga kryeministrat shqiptarë të pas viteve 1990 të jetë në konflikt të hapur me akterët kryesorë shtetërorë dhe politikë të shtetit të Kosovës. Kjo sepse me dashje apo pa dashje, agjenda politike dhe diplomatike e kryeministrit të Shqipërisë shkon përkundër agjendës së përfaqësuesve shtetërore e politikë të Kosovës.

Agjenda politike dhe diplomatike i shkon përshtat agjendës së kryeministrit serb, e cila nuk është as më shumë e as më pak, veçse një përpjekje e Serbisë për të rikthyer kufijtë politikë të asaj çfarë pretendonte Milosheviqi pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Dihet tashmë se Sllobodan Millosheviqi, pasi e kuptoi se nuk mund ta vendoste gjithë Jugosllavinë e vjetër nën sundimin e serbëve pas rezistencës kroate dhe sllovene të mbështetur nga vendet evropiane dhe SHBA-në, kaloi në planin B: lejimin e shkëputjes së këtyre dy republikave me idenë se më pas do ta kishte më të lehtë për të mbajtur nën ndikimin e vet një federatë me pjesën tjetër të mbetur, ku pa dyshim pengesa kryesore do të ishte rezistenca e shqiptarëve të Kosovës. Me shqiptarët kishte vendosur t’i zgjidhte punët përmes dhunës dhe shpërnguljeve masive dhe kryeministri i sotshëm serb ishte një nga mbështetësit kryesorë të këtij projekti përmes Partisë Radikale të Serbisë, eksponent i rëndësishëm i së cilës ishte.

Në arenën ndërkombëtare, plani i Millosheviqit kishte vetëm një aleat: Rusinë, ndërkohë që në çdo fazë të vetën kishte kundërshtar BE-në dhe SHBA-në. Në këtë përplasje të madhe të politikës ndërkombëtare, Millosheviqi pa të humbte njërën pas tjetrës pjesë të perandorisë së vet të imagjinuar: Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe madje edhe Republika Sërbskan, e cila, falë ndërhyrjes ndërkombëtare në Bosnje, nuk u bë pjesë e Serbisë. Humbja e Serbisë në të vërtetë ishte humbje e Rusisë në betejat gjeopolitike në Ballkan, madje humbja më e madhe pas Kongresit të Berlinit, po të kemi parasysh faktin se edhe Bullgaria që dikur ishte aleat i Rusisë sot, është vend i BE-së dhe anëtar i NATO-s

As Serbia dhe as Rusia nuk janë pajtuar me këtë humbje dhe prej vitesh po përpiqen të faktorizohen sërish dhe ta kthejnë Ballkanin në një zonë të ndikimit rus, ose të paktën të kthejnë nën ndikimin rus zonat e dikurshme që ishin nën këtë ndikim. Paradoksi qëndron në faktin se në këtë lojë është futur edhe qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama, duke u bërë me dashje ose pa dashje një vegël e lojës politike të Beogradit. Sponsorimi i fortë dhe pa kushte që kryeministri Rama i ka bërë projektit të mini-Shengenit Ballkanik është në të vërtetë mbështetje për një projekt që nga pikëpamja politike, ekonomike, diplomatike, i shërben Serbisë dhe aleatit të saj, Rusisë. Projekti synon përafrimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë me interesat e Beogradit dhe Moskës, duke krijuar kështu pengesa të reja për integrimin e tyre në BE.

Por, mbi të gjitha ai synon izolimin e Republikës së Kosovës dhe me të drejtë të gjithë akterët politikë dhe gjithë shoqëria shqiptare e Kosovës dhe e Shqipërisë e shikojnë krijimin e një zone të përbashkët me Serbinë pa njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, si një pretekst për ripushtimin e saj nga Serbia, madje krijimin e premisave edhe për përçarjen e faktorit shqiptar në rajon. Në përçarjen e faktorit shqiptar në rajon, Rama ka arritur, sidomos në këto vitet e fundit, të jetë vërtet efikas. Fillimisht, me përkrahjen e projektit të ndarjes së kufijve dhe së fundi me mini-Shengenin Ballkanik. Braktisja e tij prej Republikës së Kosovës në projektin e fundit e tërboi aq shumë Ramën sa para vëllait të ri, Vuçiqit, i shiti pa iu skuqur faqja gjithë liderët shqiptarë të Kosovës, duke i sharë e trajtuar ata si kushërinj të largët, madje si fqinj të këqij.

Opinioni publik ka qenë aq i ngarkuar për muaj të tërë me “projektet” e Vuçiqit dhe Ramës, sa në shumë raste e ka konsideruar aktin e Ramës tradhti kombëtare, vetë Ramën si Esat Pashë Toptan e kështu me radhë. Për këtë arsye është e çuditshme se si ai e ka ngushtuar objektin e padisë së tij vetëm me Haradinajn dhe nuk ka përfshirë në të pjesën më të madhe të faktorit politik shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, mediat, madje gjithë publikun e tyre që ka ngritur ndaj tij akuza të pafundme.

Exit mobile version