Site icon Prishtinapress

Të gjitha vendimet e marra sot nga Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, zhvilloi mbledhjen e saj të tretë dhe ka miratuar vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Sipas një njoftimi, Qeveria ka miratuar Rregulloren e re për fushat e përgjegjësive të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.

Sipas kësaj rregulloreje përcaktohet organizimi i Qeverisë në bazë të votimit të kabinetit qeveritar me 3 shkurt 2020 nga Kuvendi i Kosovës dhe organizohet me 15 ministri.

Kjo rregullore e organizimit të Qeverisë do të pasohet me miratimin e rregulloreve për organizimin e brendshëm të secilës ministri në të ardhmen e afërt.

Gjithashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” sh.a.

Vendimi, siç thuhet më tej, është mbështetur në Ligjin për ndërmarrjet publike dhe ka pasur parasysh funksionimin dhe gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje publike, e vlerësuar si mjaft e rëndë dhe me nevoja për të ndryshuar konceptin menaxhues.

“Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për krijimin e listës së tepricës me sekretarët e përgjithshëm të ministrive që preken nga riorganizimi i Qeverisë së Kosovës. Qeveria do të angazhohet në shqyrtimin e të gjitha mundësive për angazhimin e tyre në pozita ekuivalente, sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës”.

“Në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Qeveria e Kosovës ka ricaktuar Izedin Bytyqin”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu është bërë e ditur se është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e “Epopesë së UÇK-së”, me një vendim të miratuar sot nga kabineti qeveritar.

Këshilli do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe do të ketë në përbërje ministrin e Mbrojtjes, përfaqësues nga: Zyra e Kryeministrit; Komuna e Skenderajt; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike; Zyra e Presidentit; Familja Jashari; shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së; Asociacioni i Komunave dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Veç këtyre, thuhet në njoftim, me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, është shfuqizuar vendimi për përfitimet e zyrtarëve të lartë pas përfundimit të mandatit të tyre.

Në parim janë miratuar sot nga Qeveria e Kosovës edhe nismat për negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për ndihmë juridike dhe për ekstradim në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Financave dhe Transfereve ka njoftuar kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen në Konferencën e donatorëve për mbështetjen e Shqipërisë në tejkalimin e gjendjes pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.

Ministri ka theksuar se në emër të Kosovës janë zotuar 200 mijë euro, dhe ka vlerësuar se ndihma e gjithmbarshme e Kosovës ndaj Shqipërisë për sanimin dëmeve të tërmetit është më e madhja në proporcion me kapacitetet e saj.

Ministri i Financave dhe Transfereve ka prezantuar edhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarje të buxhetit për mbulimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Ministri ka propozuar që kabineti qeveritar të refuzojë kërkesën për ndarjet buxhetore për paga dhe mëditje dhe të aprovojë vetëm kërkesat për shpenzimet për mallra dhe shërbime.

Exit mobile version