Site icon Prishtinapress

“Të burgosurit në Dubravë përballen me dhunë fizike, kërcënime e fyerje nga stafi korrektues”

Të burgosurit në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, vazhdojnë të përballen me dhunë fizike, kërcënime, shantazh e fyerje nga stafi punonjës, raporton KosovaPress.

Kështu u tha në konferencën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me rastin e prezantimit të raportit vjetor “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese”, ku njëherësh u evidentuan edhe të arriturat dhe përmirësimet që kanë arritur institucionet e shërbimeve korrektuese të Kosovës, gjatë vitit të kaluar.

Alban Muriqi, i cili prezantoi të gjeturat nga raporti monitorues bëri të ditura dy qendrat më problematike ku janë evidentuar raste të tilla të dhunës.

Ai theksoi se duhet te veprojnë me efikasitet të gjitha institucionet. Duke potencuar se janë përmirësuar kushtet materiale dhe të banimit, ai Muriqi tha se nuk ka mbipopullim porse ka mungesë të kategorizimit, teksa shtoi se mungojnë programe dhe ri-socializimi, për shkak të pamundësisë për aktivitete të punës.

“Ende për shumë arsye, stafi korrektues mund të përdor forcën fizike, kërcënimet, fyerjet, apo ndonjë shantazh ose ndonjë mos adresim të ndonjë shqetësimi të personave të dënuar. Kjo është më e shprehur në qendrën e shërbimit korrektues të Dubravës, për shkak të specifikave, mirëpo kemi pasur raste edhe në qendrat e paraburgimit. Në Lipjan, kemi pasur dy raste të përdorimit të forcës së panevojshme nga stafi korrektues”, tha Muriqi.

Drejtoresha ekzekutive në QKRMT, Feride Rushiti, tha se raporti i prezantuar sot, paraqet punën 11 vjeçare të realizuar brenda këtyre institucioneve.

Sipas saj, mungesa e qëndrueshmërisë menaxheriale në ShKK, jo-funksionalizimi i të gjitha hapësirave dhe kapaciteteve ekzistuese në ShKK, mbipopullimi i qendrave të paraburgimit, mungesa e kategorizimit të mirëfilltë dhe planit të vuajtjes së dënimit për të dënuarit, prania e dukurisë së kontrabandës me mjete të ndaluara, vendosja dhe trajtimi i kryerësve me çrregullime mendore janë disa nga sfidat dhe mangësitë kryesore, me të cilat përballen institucionet korrektuese të Kosovës.

Ajo, theks të veçantë i kushtoi nevojës për monitorues shërbimet korrektuese, për të cilët tha se luajnë një rol shumë të rëndësishëm në raportimin e parregullsive tek Ministria e Drejtësisë.

“Sot sistemi korrektues mund të thuhet se ka bërë një progres në trajtimin më të mirë të personave të dënuar sidomos në trajtimin e kushteve fizike, të cilat po ashtu janë një tregues i rëndësishëm i përmirësimit të mirëqenies të personave të dënuar. Shumë projekte e iniciativa janë realizuar, ato janë duke u realizuar në shërbimin korrektues të Kosovës”, tha ajo.

Kurse këshilltari i ministrit të Drejtësisë, Altin Ademi, tha se raporti është një pasqyrë e asaj se ku gjendet Kosova në këtë fushë.

Sipas tij, MD është e përkushtuar për një sistem korrektues efikas, teksa u shpreh se do t’i marrin parasysh rekomandimet e dala nga raporti në fjalë, si pjesë të politikbërjes.

Ai u shpreh optimist se raporti i QKRMT-së, vitin e ardhshëm, do të jetë vetëm me 5-6 faqe.

“Burgjet tona, qendrat tona korrektuese në përgjithësi, nuk janë as për së afërmi me atë që kanë qenë në të kaluarën. Do të thotë është një zhvillim progresiv i jashtëzakonshëm në raport se si ka qenë më herët me atë se ku jemi tash. Marrë parasysh dozën se sa mund të pajtohemi 100 për qind nëse janë të tilla ato, prapë se prapë, nuk përkojnë dukuritë, janë thjesht raste të izoluara dhe kjo është diçka shumë e mirë. 12:46 Jemi të vetëdijshëm se ka ende sfida, disa prej tyre janë në raport. Dhe, përballë këtyre sfidave, kemi vetëm një përgjegjësi. Përgjegjësia jonë është që mos t’i maskojmë apo t’i fshehim, por t’i identifikojmë dhe me gjet një zgjidhje”, tha ai.

E, Rasim Selmani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, u shpreh se çështja e të drejtave të njeriut është primare për ta. Ai tha e Shërbimi Korrektues ka bërë një avancim të hapur, duke u mundësuar të burgosurve që të komunikojnë me familjarët e tyre përmes Skype, që sipas tij, mundëson një socializim më të lehtë të tyre kur të lirohen.

Selamani bëri të ditur se janë në përfundim të trajnimit të 120 zyrtarëve korrektues.

“Shërbimi korrektues ka bërë sidomos një avancim sa i përket komunikimit të të burgosurve, sidomos në institucionet e tipit të hapur, tashmë është instaluar në dy institucione komunikimi virtual përmes Skypet, me të cilën ne vlerësojmë se kjo është një mundësi e mirë që të burgosurit të jenë pranë familjeve të tyre dhe pasi jemi shoqëri e cila bazohet në familje jashtëzakonisht shumë, kjo do të ndikojë që të burgosurit të jenë të risocializim, që të jenë të përgatitur të dalin në shoqëri të vlefshëm”, tha ai.

Ndryshe, raporti nxjerr në pah se në shumicën e institucioneve korrektuese gjatë vitit 2018 ka pasur renovime të hapësirave të banimit për personat e dëbuar dhe të paraburgosur. Renovimet në Dubravë, QP Lipjan, dhe funksionalizimi i QP Prishtinë kanë krijuar kushte më te mira dhe më të dinjitetshme për të dënuarit dhe të paraburgosurit.

Exit mobile version