Site icon Prishtinapress

Tarifa doganore nuk pakëson mallrat esenciale në treg

Një muaj e gjysmë pas vendosjes së taksës doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tregu kosovar vazhdon mbetet mjaftueshëm i furnizuar me produkte esenciale.Aktualisht, në tregun kosovar mund të gjenden të gjitha mallrat, përfshirë edhe ato nga Serbia e Bosnja, edhe pse importi nga këto dy vende, sipas autoriteteve përgjegjëse në Prishtinë, tashmë është ndërprerë gati në tërësi.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, por edhe në Odën Ekonomike dhe organizatën “Konsumatori”, thonë se gjatë kësaj periudhe nuk është vërejtur mungesë e asnjë produkti bazë, por as produkteve tjera.

Megjithatë, vlerësimet e tyre dallojnë kur bëhet fjalë për arsyet për këtë stabilitet, marrë parasysh se Serbia, deri para 1 muaji e gjysmë, ishte eksportuesja më e madhe e mallrave në Kosovë.

Elhami Ismajli, zëdhënës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se produktet nga Serbia dhe Bosnja, janë zëvendësuar menjëherë, pasi janë rritur shkëmbimet tregtare me vende të tjera dhe janë krijuar tregje të reja.

“Pas vendosjes së taksës, janë krijuar mundësi të reja për eksport dhe menjëherë janë zëvendësuar produktet, të cilat janë importuar nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Nga të dhënat statistikore shihet se pas vendosjes së taksës është rritur eksporti në drejtim të Gjermanisë, Italisë, Sllovenisë, Polonisë, Mbretëria e Bashkuar, Shqipërisë, Maqedonisë etj. Si tregje të reja janë identifikuar shtetet si: Libia, Islanda, Lituania, etj,” shpjegon Ismajli.

Exit mobile version