Site icon Prishtinapress

Takohen Mustafa e Haradinaj, dakordohen për qeveri të re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa sot ka takuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa kanë biseduar rreth mundësisë për krijimin e një qeverie të re dhe luftën kundër coronavirusit.

Takimin ndërmjet Mustafës dhe Haradinajt e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai tha se takimi ndërmjet dy krerëve të partive ishte me ftesë të Isa Mustafës, ndërsa sipas tij ishte takim pune.

“…Ishte takim pune, diskutuan për krizën institucionale. U dakorduam që të kemi Qeveri të re dhe do të merret me detyrat parësore, luftën kundër coronavirusit”, ka thënë Tahiri.

AAK edhe përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se gjatë takimit është konstatuar se Kosova si demokraci e konsoliduar dhe Republikë parlamentare, brenda rregullave kushtetuese duhet të gjej zgjidhje, për të mos lejuar vakum institucional.

Sipas AAK-së, Haradinaj dhe Mustafa, u pajtuan se pas shkarkimit të Qeverisë, me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, shtetit i duhet Qeveri e re për të siguruar përmbushjen e detyrave shtetërore.

Exit mobile version