Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri pas vizitës që i bëri sot Trustit Pensional ka bërë të ditur se në bazë të planifikimeve, diku pas tre jave mund të nisin aplikimet për tërheqjen e kursimeve, prej 10 për qind.
Tahiri pas takimit me drejtorin e Trustit, Ardian Zalli tha se procedura e aplikimit do të jetë online, e thjeshtë, duke e marrë parasysh situatën me pandeminë.
“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10 për qindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, bëri të ditur Tahiri.
Ai tha se janë dike mbi 630,349 persona që janë pjesë e kësaj skeme, raporton Telegrafi.
Duke treguar procedurat, Tahiri tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike është në Kuvend, do të diskutohet në Komision, pastaj do të shkojë në Kuvend për miratim.
“…Para tri jave nuk mund të kryhet…”, tha Tahiri, duke shtuar se ideja e marrjes së 10 për qindëshit është stimulimi i ekonomisë.
Sipas tij, nëse kjo punë fillon nga shtatori e tutje, hyjnë rreth 200 milionë euro hyjnë në qarkullim në tregun e Kosovës.
“Trusti ka përgatitur një platformë online dhe besojmë që do të jetë gati nëse miratohet ligji dhe hyn në fuqi brenda dy jave dhe do të jetë gati”, tha ai, raporton Telegrafi.
Sipas tij, diku rreth 200 milionë euro mund të tërhiqen nga ky fond e që do të jetë injeksion i mirë për ekonominë e Kosovës.
“Nuk e dimë sa do të tërhiqen, pasi një numër i madh i njerëzve mund të tërheqin vetëm një shumë të vogël”, tha ai, e që mund të jenë rreth 50 për qind e personave që janë pjesë e kësaj skeme.
Zëvendëskryeministri tha se nga kjo mundësi e tërheqjes së 10 për qindëshit janë tri benefite: krijohet qarkullim i parasë kesh, mund të bëhet një planifikim familjar buxhetor sado i vogël por në një kohë të vështirë dhe paratë i marrin njerëzit që kanë kontribuuar me vite.
Ndërkaq, Ardian Zalli nga Trusti pensional tha se e kanë njoftuar zëvendëskryeministrin Tahiri me të gjitha përgatitjet që janë duke u bërë për mundësinë e tërheqjes së 10 për qindëshit.
Sipas tij, kjo do të bëhet vetëm online dhe mund të bëhet vetëm pasi ligji të hyjë në fuqi, të nënshkruhet nga presidenti dhe të shpallet në gazetën zyrtare.
“Besoj se e kemi thjeshtuar procesin…. Kurdo që mund të ndodh aplikimi të bëhet vetëm online dhe kjo shkon edhe në favor të situatës me pandeminë, në mënyrë që të mos përhapet…”, tha ai.