Tahiri: Ekstradohet me sukses i dyshuari malazez për vrasje të rëndë

0
17

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, njofton se është realizuar me sukses ekstradimi i Mario Miloseviç, i kërkuar nga autoritetet malazeze si i dyshuar për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të materialeve plasëse.

“Falë punës që kemi bërë si Ministri e Drejtësisë në rrafshin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sot më datë 5 nëntor 2019, është realizuar me sukses ekstradimi i njërit nga personat më të kërkuar nga Mali i Zi, i dyshuari Mario Miloseviç, shtetas i Republikës së Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e Tahirit dërguar medieve.

Sipas njoftimit i dyshuari Miloseviç ishte i kërkuar nga autoritetet malazeze për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje e paautorizuar të materieve plasëse”, të Kodit Penal të Malit të Zi.

“Bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të pavarura të sundimit të ligjit si dhe përkushtimi për të vendosur para përgjegjësisë secilin person të dyshuar, e ka bërë Kosovën një vend primar në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe një vend të pasigurt për kriminelët. Në saje të përkushtimit në luftën ndaj krimit trans-nacional, që nga shtatori i vitit 2017 deri më nëntor 2019, janë përmbyllur 165 ekstradime, më shumë se sa kanë ndodhur për vite të tëra marrë së bashku”, thuhet tutje në njoftim.