Gjykata Kushtetuese e ka miratuar përkohësisht kërkesën e Avokatit të Popullit për pezullim të Ligjit për Paga. Kjo masë do të zgjasë deri më 30 mars të vitit 2020.
Por ky vendim ka ngjallur reagime te punëtorët shëndetësorë, të Arsimit, por edhe të Policisë së Kosovës.
Kryetari i Federatës së Sindikatave në Shëndetësi, Blerim Syla, ka thënë për Ekonomia Online se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga, shkel të drejtat e punëtorëve.
Ai ka kërkuar nga Gjykatat Kushtetuese që sa më parë të implementohet ligji për pagat.
‘’Siç e dini në vazhdën e kësaj ne kemi reaguar. Nëse keni parë skandalin e pagave, besoj që është një mesazh mjaft i qartë edhe për Avokatin e Popullit që ka nxituar me kërkesë, sepse sot të flitet për paga marramendëse të njëjtën kohë ata ankohen. Dhe në anën tjetër t’i shihni pagat se si janë tek specialistët, infermierët, arsimtarët dhe të policët kjo nuk don koment. Shpresoj që nëse ka pak drejtësi Gjykatat Kushtetuese sa ma shpejt ta fusin vendimin ta largojë këtë masë pezulluese dhe të fillojë implementimi, kuptohet në ato nene në të cilat ka masë përputhshmërie ato mund të kthehen në masë amandamentimi. Në Kosovë është një situatë shumë e rëndë sociale, por ne si punëtorë jemi munduar që ta ruajmë fazë sociale’’, shtoi Syla.
Syla paralajmëron se nëse Gjykata Kushtetuese sjell një vendim për të anuluar këtë ligj, situata do të dalë prej kontrollit dhe pasojat do të jenë të paparashikuara.
‘’Skandalet në vazhdim do të dalin tek KEK- u edhe tek të tjerët. Disa sindikalist kanë rënë pre e bordeve, dhe ato borde kanë ndikuar tek Avokati i Popullit që të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Është e pamundur që ta kontrollojmë situatën, nëse Gjykata Kushtetuese e sjellë një vendim që nuk është në favor të punëtorëve të shërbimeve publik. Në rastin tjetër nëse kjo ndodh atëherë situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe në si sindikalë nuk do të mund ta kontrollojmë, por përgjegjësinë për këtë do ta marrin politikëbërësit’’, potencoi Syla.
Syla gjithashtu ka ngritur çështjen e largimit të punonjësve shëndetësorë nga Kosova, të cilët migrimin jashtë vendit po e shohin si zgjidhje të duhur për një jetë më të mirë dhe kërkesat për punonjës shëndetësorë janë të larta.
Ai ka paralajmëruar edhe masa të tjera sindikale, derisa ka theksuar se do të ketë protesta.
‘’Më 1 mars do të kemi largim të mjekëve dhe infermierëve, mirëpo njerëzit janë lodhur nga kjo gjendje apatike e cila është në Kosovë dhe përveç që do të ketë protesta do të rritet edhe numri i të larguarve nga sistemi shëndetësor. Dy reagimet tona do të jenë, migrimi i punëtorëve shëndetësor në masë të madhe dhe reagimet sindikale të cilat janë të pashmangshme’’ shtoi më tej Syla.
Ai ka bërë të ditur se përveç kryeministrit Albin Kurtit asnjë lider tjetër nuk i ka dëgjuar, mirëpo presin mbështetje institucionale.
‘’Unë kam pasur takim me Kryeministrin Kurti edhe para aprovimit për ligjin e pagave edhe në kohën kur është dërguar në Kushtetuese kemi biseduar dhe pres mbështetje institucionale sepse është një realitet që ka ndodhur’’, shtoi ai.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 12 dhjetor të vitit të kaluar, ka vendosur që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik.
Ligjin për paga, më 6 dhjetor në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.