Site icon Prishtinapress

Sveçla: E kuptoj shqetësimin e Malishevës, por ka mungesë të furnizimeve për shkak të situatës

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot ka pritur në takim pune ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla dhe ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, të cilët i ka njoftuar me situatën me COVID-19 në Malishevë.

“Furnizimi nga ministria përkatëse për QKMF-në, ka qenë shumë modeste, por pavarësisht kësaj ne jemi duke e menaxhuar situatën dhe jemi të angazhuar 24 orë pa ndërpre”, ka thënë Begaj, gjatë prezantimit të situatës në Malishevë, dhe në të njëjtën kohë kërkoi më shumë kujdes ndaj Malishevës, për shkak të numrit të madh të të prekurve.

Begaj gjithashtu i njoftoi edhe me pjesën tjetër të kësaj situate, përkatësisht për përkrahjen e familjeve në nevojë, ku deri më tani janë mbështetur rreth 900 familje.

Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së ministrit të MPBAP, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se realisht furnizimi me mjete mbrojtëse është i vështirë në këtë situatë, jo për shkak të financave, por të shkak se të gjitha shtetet i kanë kufizuar lëvizjet dhe transporti është më i vështirësuar.

“Po punojmë pa ndërprerë për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, por bazuar në situatën e krijuar, duhet të shtrëngohen masat edhe më shumë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virusi. Gjërat mund të përkeqësohen, prandaj na duhet më shumë solidaritet dhe bashkëpunim, jo vetëm në mes të institucioneve, por edhe me qytetarët, në mënyrë që të mbrohemi”, tha Sveçla.

Sa i përket shqetësimeve të Komunës së Malishevës, ushtruesi i detyrës së ministrit të MPBAP, tha se “e kuptoj shumë mirë shqetësimin e komunës suaj, por kjo është situata dhe presim që në vazhdim të kemi furnizime, por mbi të gjitha qytetarët duhet t ë kenë kujdes më shumë”.

Ai bëri thirrje që në javët në vijim të jemi më të kujdesshëm të gjithë, në mënyrë që të ruajmë shëndetin tonë dhe familjet tona, pasi kujdesi është arma më e mirë e luftimit të COVID-19.

Ndërsa ministrja në detyrë e MAPL-së, Emilija Rexhepi, tha se kanë siguruar një fond shtesë për situatën pas pandemisë për komunat e vendit, në mënyrë që të ndihmohen komunat pas përfundimit të kësaj pandemie.

Ndryshe, në Malishevë aktualisht janë 44 persona të prekur me COVID-19, ndërsa 7 prej tyre janë shëruar.

Exit mobile version