Site icon Prishtinapress

Studentja tregon se si u ngacmua seksualisht nga profesori

Ish studentja e Fakultetit të Arteve, Jeta Berisha ka rrëfyer se si ishte ngacmuar seksualisht nga profesori i saj i cili vazhdon që ta ushtrojë profesionin e tij në UP.
Ajo kishte kërkuar që rasti të hetohet si nga Policia e Kosovës ashtu edhe nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, por si duket ka hasur në vesh të shurdhër pasi që edhe pas dy viteve profesori nuk u dënua për veprimin e tij.

Për këtë ngacmim dhe ngacmime tjera që janë shprehur si dukuri në Universitetet Publike të Kosovës studentë dhe qytetarë përmes një aksioni simbolik të zhvilluar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë kundërshtuar dukurinë e ngacmimeve seksuale.

Pjesëmarrësit në këtë aksion kërkuan shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, Marjan Dema, si dhe dorëheqje të prorektores së UP-së , Teuta Pustina-Krasniqi për shkak të deklarimeve të saj për ngacmimet seksuale në këtë institucion arsimor.

Alban Retkoceri është shprehur i indinjuar me pozicionin e UP-së karshi ngacmimeve seksuale, duke thënë se ky institucion po vihet në mbrojtje të këtyre veprimeve. Ai e ka quajtur provokativ Universitetin e Prishtinës në të cilin sipas tij edhe profesorët dhe asistentët i ngacmojnë seksualisht studentet. “Ngacmimet seksuale ndodhin përditë, kudo nëpër hapësirat e universitetit. Jo vetëm nga studentët por edhe nga profesorët dhe asistentët. Çështja nuk është a ekziston ngacmim seksual, çështja është çfarë bën institucioni për ta ndalur këtë dukuri të shëmtuar?Institucioni nuk bënë asgjë, institucioni refuzon të njohë atë që ndodh. Institucioni fajëson viktimat e ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, i quan ato provokuese dhe veshjen e tyre provokative, provokativ është ky institucion dhe qëndrimet e tij. Të provokuar jena na që nuk do lejojmë më këtë gjendje të vazhdojë“, u shpreh Retkoceri.

Ndërsa, studentja, Adelina Tërshani tha se pavarësisht se çka veshin vajzat ato përsëri ngacmohen seksualisht. Ajo kërkoi dorëheqjen e prorektores, Teuta Pustina-Krasniqi dhe shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema. Tërshani paralajmëroi edhe bllokim dhe protesta derisa të hetohen të gjitha rastet e ngacmimeve seksuale.

“Boll ke ma, me komentu veshjen e viktimave zyrtarët e institucioneve. Prandaj prorektore, dorëheqje! Prandaj rektor shkarkim!Nëse jo bllokim e protesta deri në shkarkim, në jo bllokim e protesta derisa të hetohen të gjitha rastet. Nëse jo, bllokim dhe protesta derisa të kërkoni falje për këtë provokim, dhe për krejt rastet që kanë ndodhur e janë heshtë për vite të tana”, u shpreh ajo.

Në fund të këtij aksioni, studentët hodhën në shenjë proteste kodin e veshjes para rektoratit të UP-së. Këto reagime po bëhen për shkak të deklaratës së prorektores së Universitetit të Prishtinës, Teuta Pustina-Krasniqi e cila ditë më parë ka fajësuar veshjen provokative të femrave për ngacmimet seksuale që ndodhin në UP.

Exit mobile version