11.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Studentët e rinj, nuk nisin vitin akademik më 1 tetor

Viti i ri akademik 2020/2021, do të fillojë më 1 tetor, për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, kurse për studentët e rinj të vitit të parë do fillojë më vonesë, thotë Xhavit Rexhaj, zëvendësministër i arsimit dhe shkencës.

“Viti akademik do të fillojë me vonesë për studentët e vitit të parë, për shkak të vonesës se realizimit të maturës shtetërore. Vonesa në maturë, pasi është kërkesë ligjore për kalim në arsimin e lartë, shkakton vonesë zingjirore në shpalljen e konkursit për pranim të studentëve, shpalljet e rezultateve” , tha Rexhaj.

Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e shkaktuar nga coronavirusi, mësimi në institucionet e arsimit të lartë do zhvillohet në mënyrë të kombinuar.

Provimet pranuese për studentët e rinj dhe provimet tjera do të mbahen në ambiente të fakulteteve, derisa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet tjera do të zhvillohen në distancë.

Megjithatë, Rexhaj thotë se të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qoftë publike apo private, duhet t’i përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për respektimin e masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Afati i parë i Testit Shtetëror të Maturës është mbajtur më 29 gusht 2020. Këtë test e kanë kaluar 17.105 maturantë nga 25.362 sa kanë marrë pjesë në të, ndërsa për 8.257 maturantë që nuk kanë arritur të kalojnë, testit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen më 10 tetor, kurse rezultatet do të bëhen publike më 16 tetor 2020.

Në një komunikatë të mëhershme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thuhet se nga data 19-21 tetor do të jetë afati i ankesave, rezultatet e të cilave do të publikohen më 23 tetor, për të shënuar kështu përfundimin e gjithë procesit të Maturës Shtetërore për këtë vit.

UP: Vonesa nuk do ketë dëmtim në rrjedhën normale të procesit mësimor

Pavarësisht vonesës se përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore, zyrtarë të rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “UP-ja do të angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë, si dhe të mos ketë dëmtim në rrjedhën normale të procesit mësimor”.

Vendimi për fillimin e vitit të ri akademik në formë të kombinuar-virtuale dhe fizike, sipas tyre, është marrë për shkak të ruajtjes se shëndetit publik.

Ndryshe, Universiteti i Prishtinës ka 14 njësi akademike dhe llogaritet universiteti më i madh të Kosovës, më rreth 42 mijë studentë aktivë, dhe 1364 pjesëtarë të stafit akademik, të rregullt dhe të angazhuar.

Parlamenti i studentëve të UP-së, kundër formës online

Bledian Geci, kryetar i Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, thotë se mbajtja e ligjëratave në formën viruale nuk sjell rezultate të duhura. Megjithatë, ai vlerëson se jo të gjitha fakultet e UP-së, duhet të zhvillojnë mësimin përmes platformave elektronike.

“Unë e kam kundërshtuar në mënyrë të rreptë mësimin në formë elektronike, sepse ne nuk kemi kushte përmes platformës së drejtëpërdrejtë. Realisht, nëse flasim për Universitetin e Prishtinës, duhet të jenë specifike edhe drejtimet. Për shembull, Fakulteti Juridik, Filozofisë, ai Ekonomik mund të zhvillojnë ligjëratat online. Por, Fakulteti i Mjekësisë është i lidhur më praktikë dhe me punën që bëjnë në Qendra Mjekësore dhe kjo nuk mund të mbahet online. Jo të gjitha fakultetet mund të funksionojnë online” , thotë Geci.

Situata e pandemisë ndryshoi mënyrën e mësimdhënies, duke mbyllur institucionet e arsimit të lartë në muajin mars, kur në Kosovë u paraqiten rastet e para më koronavirus. Vitin akademik 2019/2020 studentët e kanë përmbyllur në platformën “Google Meet” dhe jo si në të kaluarën, në salla të fakulteteve.

Pupovci: Mësimi virtual nuk është mësim i mirëfilltë

Edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci vlerëson se bazuar në situatën epidemiologjike me pandemi, alternativa më e përshtatshme e fillimit të ligjëratave, është forma e kombinuar. Ushtrimet dhe puna e praktika, thotë Pupovci, duhet të organizohet që të mbahen në fakultetet përkatëse.

Pupovci thekson se mbajtja e mësimit virtual është proces i imponuar për shkak të situatës me pandemi, por jo efektiv. Nuk ekziston ndonjë autoritet qendror që e përcakton se si duhet të jetë, apo e mbikëqyr procesin mësimor.

“Mësimi varet nga përgatitja e vetë institucioneve, disa kanë bërë përgatitje më cilësore dhe janë në gjendje të ofrojnë mësimin online në kuptimin e plotë të fjalës, në mënyrë jo të sinkronizuar.

Ndërsa të tjera, thjeshtë siç kanë vepruar gjatë pranverës mund të ofrojnë mësim online në formë që nxënësit të mbahen në klasë dhe për pjesën tjetër të transmetohen përmes platformave të ndryshe. Pra, nuk është mësim i mirëfilltë”, thotë Pupovci.

Numri i studentëve në institucionet publike dhe private vitin e kaluar ishte 73.517. Në Kosovë janë të akredituara nëntë universitete publike dhe 22 kolegje private, kryesisht në rajonet më të mëdha të vendit.

Ndryshe, mësimi në institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur më 14 shtator me prezencë fizike të nxënësve në objektet e shkollës. Por, numri i nxënëseve të një klase është ndarë në dy grupe, me qëllim të krijimit të distancës, si një nga masat mbrojtëse për parandalimin e coronavirusit. /rel

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles