Studentët ballafaqohen me sfida të financimit për studime

0
33

Shpenzimet e një të riu apo të reje për studimet universitare, paraqesin një sfidë më vete. Përcaktimi për degën e studimeve, konsiderohet nga të rinjtë si hapi i parë, pasi që ata më pas vihen para dilemës nëse do t’i vijojnë studimet në institucionet publike arsimore apo në ato private.

Dhe krejt në fund, për një numër të konsiderueshëm të studentëve që udhëtojnë nga vise të ndryshme në Prishtinë apo qytetet ku ka universitete, vjen në shprehje edhe planifikimi për banim dhe llogaritja e shpenzimeve.

Disa nga studentët, thonë se punojnë, duke synuar kështu që t’i vetëfinancojnë studimet apo të paktën t’ua lehtësojnë këtë barrë prindërve.

Leonora Ahmeti është studente në fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, e cila punon dhe thotë se përpiqet që t’i sigurojë vet paratë e nevojshme për studime dhe banim në Prishtinë, ku ajo jeton me qira.

“Unë si studente në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës e kam tejet të vështirë ta bëj vet financimin për shkak se edhe pse punoj dhe vetëfinancohem, pajisjet janë tejet të shtrenjta. Për sa i përket jetesës, kjo gjë është ekstra për shkak se duhet të paguhet rryma, uji e dhe qiraja në fund të muajit e të gjitha këto kushtojnë. Për dallim me një student bashkëmoshatar timin që jeton me prindër dhe nuk paguan asgjë, është tejet e vështirë,” thotë Ahmeti.

Ndërkaq, Bujan Stavileci, student në një nga fakultetet private në Prishtinë, i cili studion Menaxhmentin dhe Marketingun thotë se jeton me prindër dhe është i punësuar, andaj edhe jeta e tij si student është më e lehtë krahasuar me disa nga kolegët e tij.

“Unë personalisht, krejt çka është dashur, në vitin e parë familja më ka mbështetur pa asnjë problem, por pas një kohë më është dashur të gjejë punë”, thotë ai.

Punësimi si student, nënvizon Stavileci, nuk është i lehtë pasi që duhet të aranzhohet edhe orari i punës me orarin e ligjëratave, çka shpesh mund të mos pëlqehet nga punëdhënësit.

“Gjithashtu gjatë studimeve çka më ka ndihmuar mua është që unë kam jetuar me prindër, duke qenë këtu në kryeqytet dhe studimet duke i kryer këtu e kam pasur shumë më lehtë. Është thjeshtë një barrë tjetër kur e din që drekën do ta kesh në shtëpi dhe nuk ke nevojë që në fund të muajit ose në fillim të muajit të mendosh për faturat”, thotë Stavileci.

Edhe Iliriana Gashi, është studente në njërin nga fakultetet private në degën Administratë Publike. Ajo thotë se jeta e saj studentore, krahasuar me një student apo studente që jeton me prindër dallon shumë në aspektin financiar.

“Më lehtë është për ata e më vështirë për ne, për arsye se unë jam në punë tetë orë gjatë ditës dhe ndoshta edhe 10 orë, gjë që ndodhë shumë shpesh. Kështu që sa u përket studimeve është më vështirë për ne që jetojmë më qira sepse unë porsa të dal nga puna duhet të ha diçka, të shkoj në banesë. Ndërsa ata (studentët që jetojnë me prindër) e kanë më të lehtë sepse i kanë të gjitha në shtëpi ku jetojnë. Dhe sa u përket financave është shumë lehtë me ushqim, me qira, me fakultet dhe me të gjitha gjërat”, thotë Gashi.

Ndërsa krejtësisht ndryshe është jeta e një studente që jeton në konvikt. Rita Hajdini, studente në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, që është në prag të përfundimit të studimeve dhe që nga fillimi ka banuar në konvikt, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i konviktit është mjaft i volitshëm, por jeta jashtë konviktit si studente në kryeqytet është mjaftë e shtrenjtë. Sipas Hajdinit, ajo shpenzon rreth 300 euro në muaj, shpenzime këto që mbulohen nga familja e saj.

“Dallimi në mes të studentëve të cilët studiojnë në Universitetin e Prishtinës dhe kolegjeve private është goxha i madh, për shkak se paguajnë çdo muaj në privat është më ndryshe sesa ne që paguajmë vetëm semestrin çdo gjashtë muaj. Ndërsa dallimi në mes neve të cilët jetojmë në konvikt dhe atyre që jetojnë me prindër nuk do të thosha që është shumë i madh për shkak se pagesa, çmimi në konvikt është shumë i ulët”, tha Hajdini.

Përderisa Berita Abazi, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se jeton me prindër dhe se shpenzimet e studimeve ia paguan familja. Por, sipas saj, për një student edhe në këtë rast shpenzimet janë të larta.

“Semestri nuk është se është edhe aq i shtrenjtë, por të duhet në fillim të çdo semestri t’i blejmë komplet të gjitha librat sepse profesorët shpesh edhe nuk të lejojnë të hysh nëpër provime në rast se nuk e ke librin e tyre e në këtë rast detyrohesh të shpenzosh goxha shumë. Unë jetoj me prindër, dhe ne jetojmë në Prishtinë. Unë kam përparësi si studente që banoj në Prishtinë”, tha Abazi.

Përderisa ne kolegjet private nuk ka shifra zyrtare rreth numrit të studentëve, në Universitetin e Prishtinës gjithsej vijojnë studimet rreth 42 mijë studentë.