Site icon Prishtinapress

Stop grave dhe medias

Pra, subjektet politike kosovare mund të arrijnë konsensus nëse përfaqësohen vetëm nga burrat dhe janë të mbyllura për media?! Hm! Megjithatë meritojnë përkrahje nismat për konsensus politik për çështje që do t’ua përmirësojnë jetën qytetarëve dhe ta çojnë përpara zhvillimin e vendit, nëse janë të sinqerta. Gabimet, nëse shërbejnë si leksione për përmirësime, mund edhe të kapërdihen.

PO, ËSHTË MIRË që pas më shumë se 3 vjetësh kur kemi parë gjithçka përveç vullnetit më të vogël për konsensus politik për çfarëdo – po shohim se subjektet politike po mund të ulen në një tryezë.

Po, është mirë që ka filluar të kuptohet se të përçarë dhe me inate personale është e vështirë të ecet përpara.

Po, gjithsesi është mirë që edhe po fillohet të vërehet se Kosova megjithatë nuk është në qendër të vëmendjes së botës, dhe se, nëse nuk do të përpiqemi t’i ndërmarrim disa iniciativa vetë, nuk do të na i kryejë punët dikush tjetër.

NATYRISHT, KOSOVA ka dalë e suksesshme kurdo që ka arritur të krijojë sadopak konsensus lidhur me çështjet që e kanë preokupuar.

Fillimi i viteve ’90 dhe organizimi i sistemit paralel e kanë dëshmuar këtë. Konferenca e Rambouilletsë, po ashtu. Njëjtë edhe lidhur me Procesin Ahtisaari dhe shpalljen e pavarësisë.

Në anën tjetër, koncentrimi i vendimmarrjes në duart e një ose dy personave të përveçëm, që nga shpallja e pavarësisë, llogaritet t’u ketë shkaktuar Kosovës dhe qytetarëve të saj dëme të mëdha në shumë aspekte.

A po vetëdijesohet skena politike kosovare përfundimisht?

Besoj të gjithë do ta dëshironin këtë.

Mirëpo, çka pamë këto ditë?

SIÇ ËSHTË BËRË mbase tashmë zakon, në Kosovë gjithçka ndodh nën petkun e një turri. Njëherë turr për t’u bërë pikë e pesë duke e kundërshtuar njëri-tjetrin, që nga hedhja e vezëve, gazit lotsjellës e koktejeve të molotovit – madje edhe në drejtim të shtëpive private të konkurrentëve politikë – në turrin tjetër për të propozuar nisma për pajtueshmëri të gjerë.

Kështu, ajo çka ishte krejtësisht e pamundshme për këta 3-4 vjet, ndodhi për 3-4 ditë, bile nga 3-4 palë të ndryshme.

Kryeministri Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së, kaloi në Qeveri dhe e dërgoi tutje në Presidencë e në Kuvend një platformë për konsensus lidhur me dialogun me Serbinë.

Kryekuvendari Veseli, gjithashtu edhe kryetari i PDK-së, prezantoi një platformë tijën të konsensusit për pesë çështjet që i vlerësoi si më të rëndësishmet për Kosovën.

Kryeopozitari Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, organizoi tryezën me ftesë për 56 subjekte politike “për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë”.

Mirë shumë, u tha, deri këtu.

E para që ndodhi, ishte përgjigjja në ftesën e tryezës së LDK-së. Një gjë e rrallë dhe që meriton të përshëndetet është pjesëmarrja në të. Pavarësisht dallimeve, në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuesit e subjekteve kryesore politike në vend, nga pushteti dhe opozita.

E dyta, është gjithashtu e admirueshme që ftesës së një partie opozitare, iu përgjigjën edhe partitë e koalicionit qeveritar, ndonëse e thirrur në emër të shkuarjes në zgjedhje.

E treta, që të gjithë dolën dhe folën në konferencën e shtypit, pas takimit që zgjati dy orë e gjysmë – të buzëqeshur.

Çka u arrit?

ASGJË! SË PAKU, nuk u arrit ajo që ishte shkruar në ftesën e takimit, konsensusi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Madje, shumë prej atyre që folën pas mbledhjes, thanë se për këtë pikë as nuk është diskutuar seriozisht.

Gjë që, jo befasueshëm, konstaton diçka që është ditur edhe para mbajtjes së tryezës për zgjedhje – askush nuk është i interesuar që të shkohet në zgjedhje të reja së shpejti, pavarësisht a janë në pushtet ose në opozitë, pa marrë parasysh a vlerësojnë se Qeveria po punon mirë ose keq.

Atëherë?

Po, ka një dakordim! Të gjithë thanë se janë marrë vesh që të takohen prapë, në këtë format. Tjetër, se do të vazhdohet me ftesa, nga partia më e madhe deri te ato më të vogla. Dhe se do të duhej të mos kishte kufizim të “temave të mëdha”, të cilat do të diskutohen.

Por cila është atëherë ideja e këtyre takimeve të rregullta, ta zëvendësojë Kuvendin? – ishte një pyetje e një reporteri pas tryezës.

Jo, ishte përgjigjja.

Mirëpo, për dallim nga Kuvendi, ku të njëjtit flasin me gjuhë të ashpër dhe shpesh edhe me sharje të ulëta personale, cila ishte receta që pas tryezës të gjithë dukeshin në disponim të mirë?

Mund të jetë një gjë: Në takim nuk kishte asnjë media dhe asnjë – grua!

Të gjitha subjektet politike u përfaqësuan vetëm nga burrat (për dallim nga Kuvendi, ku së paku imponohet kuota gjinore prej 30 përqindësh) dhe nuk u panë drejtpërdrejt tek diskutonin nga gazetarët (për dallim nga Kuvendi i cili ka detyrim t’i lejojë gazetarët brenda).

Ironikisht, mund të konstatohet se një mori burrash jashtë kamerave televizive mund të merren vesh për bukuri. Gjë që është gabim, që në start.

Mirëpo, të mos bëhemi menjëherë party-breakers.

Megjithatë meritojnë përkrahje nismat për konsensus politik për çështje që do t’ua përmirësojnë jetën qytetarëve dhe ta çojnë përpara zhvillimin e vendit, nëse janë të sinqerta.

Gabimet, nëse shërbejnë si leksione për përmirësime, mund edhe të kapërdihen.

Adriatik Kelmendi

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

Exit mobile version