Specialja nxjerr të hënën Salih Mustafën para Gjykatës, e akuzon për vrasje dhe krime tjera të luftës

0
51

Dhomat e Specializuara njoftojnë se i akuzuari i parë, Salih Mustafa, do të paraqitet para gjykatës të hënën.

Më 28 shtator në orën 15, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë. Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. Aktakuza publike e redaktuar mund të lexohet këtu. Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjithashtu, DHSK-ja ka një qendër të posaçme për median nga e cila gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër. Për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e Kovid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për median do të jetë shumë I kufizuar dhe regjistrimi paraprak është i nevojshëm. Për regjistrimin paraprak, ju lutemi të dërgoni një mesazh elektronik në public@scp-ks.org deri në orën 12 në mesditë më 27 shtator. Në mesazh duhet të shënoni emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes, shtetësinë, numrin e pasaportës/letërnjoftimit, përkatësinë tuaj (p.sh, person privat, diplomat i akredituar, OJQ/shoqëria civile) dhe të dhëna të tjera relevante. Gazetarët duhet të japin edhe emrin e organit të medias, vendin ku janë të bazuar, si edhe një skanim të kartelës së shtypit. Do t’ju informojnë sa më shpejt nëse ka ulëse të lira. Kërkojmë mirëkuptimi tuaj duke mbajtur parasysh kufizimet e imponuara prej masave për shëndetin publik në përgjigje të KOVID-19. Më shumë të dhëna për vizitë në DHSK, ndër të cilat edhe të dhëna për masat në lidhje me KOVID-19, mund të gjeni këtu.