Site icon Prishtinapress

Specialja e hedh poshtë kërkesën e Gucatit për lirim me dorëzani

Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes për lirim me dorëzani të kreut të të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

Gjykata ka njoftuar se sot paneli i Dhomës së Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ka nxjerr vendimin e vet të parë mbi apelimin e ndërmjetëm prej Hysni Gucatit të vendimit të Gjykatësit të Vetëm mbi ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kërkesën për dorëzani.

“Më 9 dhjetor 2020, paneli i Dhomës së Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës nxori vendimin e vet të parë mbi apelimin e ndërmjetëm prej Hysni Gucatit të vendimit të Gjykatësit të Vetëm mbi ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kërkesën për dorëzani. Në këtë vendim të parë, paneli i Gjykatës së Apelit përcaktoi standardin e vlerësimit të apelimeve të ndërmjetme, si dhe kriteret që duhet të respektohen në procedurën e apelit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Më tej në njoftim thuhet se “duke zbatuar standardin e lartpërmendur, paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë tërësisht apelin e z. Gucati. Megjithëse konstatoi se fletarrestimi ishte bazuar gabimisht në nenin 39(3) të Ligjit që përcakton kompetencat e Gjykatësit të Procedurës Paraprake pas parashtrimit të një aktakuze, për arsyet e shtjelluara në vendim, paneli gjykoi se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara gjithsesi konfirmon kompetencën e Gjykatësit të Vetëm për të lëshuar fletarrestim para parashtrimit të një aktakuze”.

“Paneli i Gjykatës së Apelit gjithashtu konstatoi se vendimet në lidhje me lirim të përkohshëm janë brenda kompetencave gjykuese të Gjykatësit të Vetëm dhe se ai nuk e shpërdori kompetencën e vet kur shqyrtoi kushtet e propozuara nga z. Gucati në mbështetje të kërkesës së tij për dorëzani. Për mendimin e panelit, z. Gucati nuk vërtetoi se Gjykatësi i Vetëm bëri gabim të dukshëm në vlerësimin e tij nëse paraburgimi i z. Gucati është i domosdoshëm në bazë të nenit 41(6) të Ligjit”.

“Paneli i Gjykatës së Apelit theksoi rëndësinë e parimit të proporcionalitetit në kontekstin e masës së mbajtjes në paraburgim në pritje të gjykimit dhe konstatoi se paraburgimi i z. Gucati vazhdon të jetë proporcional në këtë fazë të hershme të procesit”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version