Site icon Prishtinapress

Sot NISMA dhe PSD e çojnë në Kushtetuese Thaçin

Kryetarët e grupeve parlamentare të AAK’së, NISMA’s dhe PSD’së sot në ora 14:00 do ta dorëzojnë në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Thaçit lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ’së. 

Këtë e ka bërë të ditur Partia Socialdemokrate përmes një njoftimi drejtuar mediave. 

“Sot (8 prill 2019), në ora 14:00, Kryetarët e grupeve parlamentare të PSD-së, AAK-së, dhe NISMA-s, mbështetur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese: Kërkesën për Vlerësimin e kushtetutshmërisë të Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës i datës 28 mars 2019, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”, thuhet në njoftimin e PSD’së.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, emëroi më 28 mars tetë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë: Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Qemail Kurtishi, Erxhan Shpat dhe dhe Stevan Veselinoviç.

Derisa ende nuk është bërë emërimi i dy anëtarëve të tjerë që duhet të përfaqësojnë koalicionin e partive në pushtet, një pjesë e të cilave kanë shprehur pakënaqësi për mos përfshirje të përfaqësuesve të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate dhe Nisma Socialdemokrate kanë kundërshtuar mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kishin paralajmëruar dërgimin e kësaj çështjeje edhe në Gjykatë Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar një anëtar për ta përfaqësuar në KQZ, nga dy sa i takojnë koalicionit qeverisës.

Exit mobile version