Sot fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta

0
11

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ( QNR) sot do të fillojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, koordinatori i Qendrës për Numërim dhe Rezultate, Burim Ahmetaj.

“Sot në ora 16:00 do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Janë diku rreth 26 mijë e 400 vota, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 150. Mirëpo numri i saktë i tyre do të dihet pas verifikimit që do të iu bëhet këtyre votave”, tha Ahmetaj.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj

Ahemtaj bëri të ditur se procesi i numërimit pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

Theksojmë se, në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, tashmë ka përfunduar numërimi i  votave me postë, si dhe po ashtu është përmbyllur edhe rinumërimi i 530 vendvotimeve.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%.

Rezultatet e zgjedhjeve pritet të certifikohen pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Ndërkohë, dy partitë politike të  cilat kanë dalë të parat në zgjedhje, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kanë filluar bisedimet rreth arritjes së një koalicioni qeverisës.