Site icon Prishtinapress

Smaka: Ramush Haradinaj do të kërkojë kompensim për ndalimin 3 mujor

Ish-gjenerali i UÇK-së, tash lider i AAK-së, Ramush Haradinaj do të vazhdojë qëndrimin e tij në Francë, të paktën deri më 6 prill të këtij viti, kështu ka vendosur sot gjykata në Colmar.

Deri në prill, Haradinaj i mbush 3 muaj të qëndrimit në Francë. Kurse, sipas Riza Smakës, profesor i të Drejtës Kushtetuese, Haradinaj do të kërkojë kompensimin e dëmeve për ndalesën që i është gjatë këtyre 3 muajve.

“Një gjykatë ndërkombëtare kompetente e ka shqyrtuar rastin e tij dy herë. I ka shtjerrë të gjitha, ka bërë verifikimin e provave. Nuk besoj që do të dalë ndonjë gjykatë lokale franceze e cila do të dilte ndryshe nga gjykata ndërkombëtare. Ajo do të ishte absurde. Ai do të lirohet dhe do të kërkohet nga Franca që t`i kompensohen dëmet materiale dhe personale për ndalesën bizare në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, është shprehur ai për “Indeksonline”.

Sipas Smakës, ndalimi i Haradinajt është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ngaqë nuk ekziston asnjë bazë juridike që ai të mbahet në Francë. Ai është shprehur se kërkesa për ndalim nuk ka qenë e mbështetur me asnjë provë.

Kujtojmë se Haradinaj ishte ndaluar nga autoritetet franceze më 4 janar të 2017-ës në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it sipas të cilës ai akuzohet për krime lufte.

Në bazë të këtij urdhri, Haradinaj ishte arrestuar në Slloveni, në vitin 2015, ku më pas ishte liruar pas vendimit ku ishte shpallur i pafajshëm.

Exit mobile version