Skandali me Telekomin: Këtë javë raporton ministri Lluka

0
35

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është paraparë të paraqitet këtë javë para Komisionit hetimor parlamentar, i cili është duke i hetuar keqpërdorimet me kontrata e me punësime në Telekom.

Sipas burimeve pranë Komisionit, përveç që do të merret në pyetje rreth mbikëqyrjes së Telekomit, ministri Lluka do të pyetet edhe rreth kërkesës që javën e kaluar komisioni e ka dërguar në këtë ministri për të pezulluar procesin e ripërtëritjes së kontratës mes Telekomit dhe “Z-Mobile”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bashkë me Llukën, pritet të raportojë edhe drejtori i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi. Ky i fundit do të merret në pyetje rreth menaxhimit të tregut të telefonisë, në veçanti të Telekomit, duke përfshirë kodin telefonik, shtirjen e tij në treg, e kështu me radhë.

Raportimi i tyre vjen pas raportimit të Sindikatës, Bordit dhe menaxhmentit të Telekomit.

Kryetari i Komisionit, njëherësh deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë për “Kohën Ditore” se tash për tash janë në fazën e mbledhjes së informatave. “Këtë javë presim që t’i kemi për raportim ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe drejtuesit e ARKEP-it”, ka theksuar ai.