Site icon Prishtinapress

“S’ka sigurime shëndetësore deri në 2020-ën”, ministria e Shëndetësisë premton diçka tjetër

Qytetarët e Kosovës tash e njëmbëdhjetë vite nuk kanë sigurime shëndetësore.

Ani pse secili nga ministrat e shëndetësisë që vijnë në pushtet bëjnë premtime “ekstreme” qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore.

Asnjë nga datat e përmendura nga ish-ministrat e Shëndetësisë nuk shënuan kthesën e fillimit të sigurimeve të premtuara.

E një gjë të tillë e kishte premtuar edhe ministri aktual i Shëndetësisë Uran Ismaili, por përkundër këtij fakti ky Projektligj ende nuk ka arritur në Kuvend për miratim

Lidhur me këtë në një përgjigje të ministrisë së Shëndetësisë për lajmi.net, thuhet se Projektligji për Sigurimin Shëndetësor është në fazën finale të hartimit.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit Ismaili, ka thënë se Projektligji pritet të përfundojë shumë shpejt, për të cilën, ai thotë se është çështje javësh.

Ai ka thënë se pas miratimit në Qeveri, projektligji do të dërgohet në Kuvend, derisa shton se presin që ky projektligj të votohet menjëherë, për t’i dhënë edhe një shtysë konkrete një prej projekteve më të mëdha në sektorin e shëndetësisë.

“Projektligji për Sigurimin Shëndetësor është në fazën finale të hartimit. Ky projektligj, që do të krijoj edhe bazën ligjore për sigurimet shëndetësore, pasi që puna në terren për nisjen e implementimit të sigurimeve shëndetësore ka nisur  kohë më parë dhe tani është në një fazë të avancuar. Projektligji që pritet të përfundoj shumë shpejt (çështje javësh) menjëherë do të dërgohet në Qeveri për votim. Pas miratimit në Qeveri, projektligji do të dërgohet në Kuvend, ku edhe presim që të votohet menjëherë për t’i dhënë edhe një shtysë konkrete legjislative një prej projekteve më të mëdha në sektorin e shëndetësisë që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e qytetarëve”, ka thënë Matoshi.

Megjithëkëtë, sipas tij Sigurimet Shëndetësore janë një e drejt e mohuar ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Sigurimet Shëndetësore janë një e drejtë e mohuar qytetarëve tanë, prandaj, këtë vit, do të punohet shumë dhe me objektiv të qartë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të funksionalizohet në tërësi dhe deri në fund të këtij viti të nis edhe mbledhja e premiumeve për sigurimet”, ka shtuar tutje Matoshi.

Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqene Sociale në Kuvendin e Kosovës, nuk besojnë që ky projektligj do të kryhet shpejtë. Madje as nuk presim zbatimin e tij, për të cilin thonë së është për keqardhje.

Fatmire Kollçaku, deputete e Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh anëtare e Komisionit, ka thënë për lajmi.net se bazuar në agjendën Legjislative të Qeverisë, këtë vit nuk parashihet plotësim ndryshimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor.

“Bazuar në agjendën Legjislative të Qeverisë, këtë vit nuk parashihet plotësim ndryshimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor. Po ashtu as zbatimi i tij, e që është për keqardhje. Në fund të vitit është i paraparë ndryshimi i ligjit për shëndetësi”, ka thënë Kollçak

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, po ashtu anëtar i këtij komisioni, ka thënë se nuk beson që sigurime shëndetësore të ketë as këtë vit dhe as në 2020-ën.

“Në agjendën legjislative të viti 2018 është planifikuar që të vijë në Komision për Shëndetësi në mes të viti, diku kah muaji maj apo qershor dhe nuk ka ardhur fare. Ndërsa në agjendën e planifikuar për vitin 2019 nuk ka ardhur fare si ligj në Komision, që tregon se nuk ka diskutime farë për Sigurime Shëndetësore. Infrastruktura legjislative është shumë e rëndësishme për përgatitjen e këtij ligji, por përveç infrastrukturës legjislative, ka edhe infrastruktura tjera të cila mungojnë. Një prej tyre është edhe sistemi informues shëndetësor i cili ka falimentuar dhe është nisur nga pika zero. Duke i marrë parasysh të gjitha këto, duke marrë parasysh edhe vullnetin politik të munguar të kësaj qeverie, unë kam thënë që nuk do të ketë në 2019, nuk do të ketë as në 2020-ën”, ka thënë Avdyli.

Ai ka shtuar se kjo mund të shkojë edhe më shumë se viti 2020, për të cilën thotë se ka argumente bindëse.

Exit mobile version