Site icon Prishtinapress

“S`ia kemi frikën Serbisë – nëse duan luftë, do ta kenë atë”

Çështja e rrënimit të murit në Veri të Mitrovicës i ka ngritur tensionin shtetit serb. Sot, zyrtarë të lartë të shtetit kanë bërë me dije se do të rritin gatishmërinë e ushtrisë dhe policisë. Kjo, për shkak se Qeveria e Kosovës ka kërkuar që muri të rrënohet nga serbët pasi ata e kanë ndërtuar atë ilegalisht. Ndërsa, ishte kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq ai që ka thënë se rrënimi i murit do të ngritë tensione.

Sipas përfaqësuesit të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, deklaratat e Vuçiqit dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliçit, janë të njëjta me ato të Slobodan Millosheviqit. Në një prononcim për “Indeksonline”, Jashari ka thënë se ata që kërcënojnë me luftë, do të kenë të tillë. Kurse, është shprehur ai, veteranët e UÇK-së janë të gatshëm të dalin në mbrojtje të territorit të Kosovës.

Megjithatë, ka shtuar ai, Kosova nuk i frikësohet Serbisë, por që institucionet duhet të tregohen të vëmendshme karshi kërcënimeve serbe

“Ne kësaj nuk i frikësohemi, e kemi edhe faktorin ndërkombëtar. Por, gjithsesi nëse vjen deri te ajo, veteranë të UÇK-së do të jenë në gjendje të vihen në mbrojtje të territorit të Republikës së Kosovës. Por, mendoj që institucionet e vendit tani më duhet të jenë më të vëmendshëm karshi gjithë këtyre kërcënimeve të Serbisë. Në asnjë rrethanë nuk duhet t`i frikësohemi Serbisë. Duhet të jemi unikë në mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës. Duhet të jemi unikë në interesin e përgjithshëm. Ne tani jemi shtet, kemi ligjet tona dhe Kushtetutën tonë. Mendoj se institucionet pavarësisht rrethanave duhet të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe të shtrijnë autoritetin e tyre në tërë Republikën e Kosovës. Përndryshe, ata që kërcënojnë me luftë, ne jemi këtu dhe i presim”, ka thënë ai.

Jashari ka komentuar ndryshimin e ligjit për FSK-në dhe shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës. Ai ka thënë se kjo çështje është dashur të rregullohet më herët, por që tani të gjithë duhet të jenë unikë për interesin nacional dhe kombëtarë.

“Unë mendoj që kjo është dashur të veprohet më herët. Do t`i kisha bërë thirrje faktorit politik vendor që interesi nacional dhe kombëtar të jetë mbi të gjitha. Duhet të lihen anash inatet e aspektit politik dhe të gjithë të dhënë kontributin që sa më shpejtë FSK-ja të shndërrohet në ushtri të rregullt. Pastaj, dihen qëndrimet, ligjet se cili do të jetë roli i ushtrisë”, është shprehur Jashari për “Indeksonline.

Tutje, ai ka thënë se politika shqiptare në përgjithësi, ajo e Prishtinës dhe e Tiranës duhet të krijojnë një strategji të përbashkët  sa i përket deklaratave luftënxitëse.

Exit mobile version