Si kandidat për president, Joe Biden ka thënë se do të ndryshonte shumë nisma në politikën e jashtme të administratës Trump, të tilla si tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshje ndërkombëtare dhe ka thënë se do të punonte në riparimin e marrëdhënieve transatlantike, që sipas tij, kanë qenë çelësi i stabilitetit në Evropë në 75 vjetët e kaluar.
Ish-nënpresident dhe senator, që ka shërbyer për pothuajse 50 vjet në Washington, Biden beson se Shtetet e Bashkuara mund t’iu qasen më së miri kërcënimeve botërore duke udhëhequr aleanca të shteteve demokratike.
Ai ka thënë se do të ndërmerrte “hapa të menjëhershëm” sapo ta merrte detyrën, që sipas tij do të forconin aleancat dhe që edhe “një herë, Amerika të udhëheqë me botën”.
Megjithatë, Biden do të përballet me probleme të mëdha të brendshme, në shtetin thellësisht të ndarë – përfshirë edhe pandeminë COVID-19, nivelin e lartë të papunësisë, tensionet racore dhe rritjen e pabarazisë – probleme këto, që sipas analistëve, mund ta detyrojnë atë që të vë në plan të dytë nismat sa i përket politikës së jashtme.
Analistët kanë thënë se administratës Biden mund t’i duhen disa muaj, që të kompletojë ekipin e saj për politikë të jashtme dhe të vendosë prioritete më specifike.
NATO dhe BE
Biden ka thënë se ai kërkon që të riparojë marrëdhëniet transatlantike, për të cilat, pasi, siç ka theksuar ai, presidenti Donald Trump i ka dëmtuar ato duke kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe NATO-në, duke vendosur tarifa ndaj disa mallrave evropiane dhe duke u tërhequr nga marrëveshje ndërkombëtare.
Për dallim nga Trumpi, i cili më 2016 e quajti NATO-në “të vjetëruar”, Biden e ka quajtur “aleancën më efektive politike-ushtarake në historinë moderne” dhe ka thënë se kjo aleancë duhet të qëndrojë e fortë teksa të adaptohet me kërcënimet e reja që vijnë nga Rusia.
“Për të luftuar agresionin rus, ne duhet t’i mbajmë të mprehta kapacitetet ushtarake të aleancës, teksa gjithashtu të zgjerojmë kapacitetet e saja për t’iu kundërvënë kërcënimeve jotradicionale, siç janë korrupsioni i armatosur, dezinformimi dhe vjedhja kibernetike”, ka shkruar Biden në gazetën Foreign Affairs më herët gjatë vitit 2020, në artikullin ku bëri të ditur pozicionet e tij për një varg çështjesh.
Rusia dhe Ukraina
Biden gjithashtu ka thënë se ai do të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke e quajtur Moskën një “kundërshtare” si dhe “kërcimin” më të madh ndaj sigurisë së SHBA-së në ditët e sotme.
Ai po ashtu ka kritikuar Kremlinin për veprimet e tij, përfshirë aneksimin e Krimesë dhe për rolin që ka luajtur në luftën ndërmjet Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit. Ai po ashtu ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane si dhe se qëndron prapa sulmeve të gazetarëve dhe liderëve të shoqërisë civile në Rusi. Trumpi shumë rrallë e ka kritikuar Kremlinin.