Site icon Prishtinapress

Si e ndaluan amerikanët gjenocidin në Ballkan?

Blerim Reka

Mbi librin e James Pardew: “Peacemakers – American Leadership and the End of Genocide in the Balkans”, (University of Kentucky Press, 2018, 424 faqe, ISBN 978 – 8131-7435-8)

Dy dekada pas përfundimit të luftërave ballkanike ambasadori Xhejms Perdju na sjell një libër të shkëlqyer, që shpjegon rolin e lidershipit amerikan për vendosjen e paqes në rajonin historikisht të rrezikshëm të Evropës.

Libri ofron dëshmi mbi atë se si diplomacia e SHBA-së kishte ndaluar gjenocidin në Ballkan, të shkruar nga dëshmitari që ato vite të fundit të shekullit të kaluar ishte në tehun e poltikëbërjes amerikane për rajonin. Duke qenë pjesë e ekipit diplomatik të SHBA-së, i cili udhëhoqi procesin paqekrijues në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë e në Maqedoni, Perdju ndan me lexuesin dëshmitë e tij personale nga konflikti më shkatërrues në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Libri i tij vjen në 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të filluar në Sarajevë. Një shekull më vonë po nga Sarajeva ambasadori Perdju do ta nisë misionin e tij diplomatik për t’u bërë dëshmitar i ngjarjeve kritike për luftën më të madhe në Evropën e fundit të shekullit XX.

Sipas një simbolike, luftërat e shekullit XX kishin filluar apo kishin përfunduar në Ballkan. Ashtu siç me Luftën e Parë Botërore kishte përfunduar izolacionizmi amerikan kur presidenti Uillson kishte shpallur paqen e parë botërore në fillim të atij shekulli; po kështu pas një periudhe hezitimi të SHBA-së për t’u involvuar në Ballkan presidenti Klinton përmes intervenimit diplomatiko-ushtarak solli paqen në rajon në fund të po atij shekulli.

Në vitin 1995 autori ishte në mision diplomatik në shtetin e shpërbërë të ish-Jugosllavisë, i cili ishte krijuar pikërisht me Paqen e Versajës, por u zhbë me shpërbërjen e Komunizmit Sovjetik.

Në pesë pjesët e librit të tij Perdju, të cilin prof. George Herring e quan “ushtarak-diplomat”, sjell të gjitha zhvillimet, personalitetet dhe vendet historike që ndikuan në përfundimin e tri luftërave ballkanike në Bosnjë, në Kosovë dhe në Maqedoni.

Me përvojën e tij të pasur diplomatike nga Vietnami në Japoni dhe nga Somalia në Ballkan ai maksimalizoi dy karrierat e tij të suksesshme në më shumë vatra të krizës botërore.

Duke punuar në ekipin e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, Riçard Holbruk, autori ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i historisë ballkanike të asaj kohe, duke qenë direkt i involvuar në gjetjen e paqes për luftën e parë në Evropë pas Luftës së Ftohtë, pas komunizmit dhe luftës së parë post-ideologjike.

“Peacemakers” është një histori e intervenimit të suksesshëm multilateral në Ballkan, që rrëfen pse intervenimet në Bosnjë (1995) dhe në Kosovë (1999) i ndryshuan marrëdhëniet ndërkombëtare, duke inauguruar një diplomaci me fytyrë njeriu.

Këto dy intervenime humanitare ndërkombëtare ishin paraardhësit e doktrinës së re të OKB-së: “responsibility to protect” (R2P) të inauguruar në vitin 2005, të cilat bashkë me ndërmjetësimin aktiv parandalues në Maqedoni (2001) promovuan politikën e jashtme amerikane, duke u bazuar në vlerat njerëzore si preventivë e shkeljes masive të të drejtave të njeriut, spastrimit etnik dhe gjenocidit në nismë.

Libri i Perdju jep përgjigje në pyetjet kruciale:

Pse për diplomacinë e SHBA-së jo vetëm sovraniteti shtetëror, por edhe ai njerëzor është njëlloj i rëndësishëm?

Pse ekzistenca e njeriut kishte për këtë diplomaci të njëjtën vlerë sa edhe ekzistenca e shtetit?

Pse për diplomacinë amerikane mbijetesa biologjike e qenieve njerëzore qe më e rëndësishme se vetëm ruajtja e integritetit territorial të shtetit?

Fatkeqësisht, një dekadë pas kësaj historie tragjike ballkanike bota nuk mori mësim nga pësimi. Sikur të ishte aplikuar modeli intervencionist ballkanik edhe në Siri pesë vjet më herët, atje nuk do t’i kishim sot përmasat e katastrofës globale.

Mësimi që del nga libri i Perdju është se nuk mjafton vetëm diplomacia në pritje pa ndërmarrjen e veprimeve ushtarake për evitimin e katastrofave njerëzore, sepse në të kundërtën na bën neve po aq përgjegjës. Jo vetëm kryesit e krimit janë përgjegjës, por edhe ata që janë dëshmitarë të këtij krimi dhe heshtin, duke mos e parandaluar apo ndalur të njëjtin.

Perdju në librin e tij pra ngre dilemën: shteti përballë njerëzimit apo legaliteti përballë legjitimitetit. Sikur SHBA-ja të ishte udhëhequr vetëm nga legaliteti në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke injoruar legjitimitetin, do ta kishte flijuar njerëzimin për  reason d’ etate.

Nga fundi i shekullit XX bota jonë u bë më komplekse, duke qenë e pamundur të shpjegohej vetëm me modelin e sovranitetit klasik Westfalian. Ky është mesazhi krucial i librit të Perdju: që vetëm diplomacia e mbështetur me përdorimin selektiv dhe të kujdesshëm të forcës ushtarake mund ta sjellë paqen dhe ta shpëtojë njerëzimin.

Prandaj “Peacemakers” i Perdju është një histori e shkëlqyeshme e rrëfyer nga dëshmitari i asaj historie. Autori nuk ishte vetëm pjesëmarrës i asaj historie të proceseve politike, por edhe autor i shpjegimit të saj. Ai me librin e tij jep një shembull të jashtëzakonshëm diplomatik se si duhet parandaluar konfliktet dhe si duhet të arrihet zgjidhja paqësore.

Vetëm disa vjet pas lansimit të “Agenda for Peace” të OKB-së (1992) dhe të diplomacisë preventive të Butros Butros Galit”, Libri i Perdju tregon se si ajo duhej të funksiononte në realitetin e hidhur dhe jo vetëm në teorinë e idealizuar të marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Peacemakers duhet të lexohet jo vetëm nga studentët dhe akademikët, por edhe nga politikëbërësit dhe diplomatët për t’i evituar gabimet në konfliktet e ngjashme, duke siguruar kështu parandalimin e gjenocidit në të ardhmen.

Sidomos mësimet nga ky libër janë të rëndësishme sot, kur paqja botërore po rrezikohet nga një luftë e re e ftohtë dhe nga rikthimi i historisë

Exit mobile version