Site icon Prishtinapress

Si e mori nofkën “Luli”? Për këtë dhe shumë pyetje të tjera përgigjet Kadri Veseli

Për shumë vite konsiderohej ndër njerëzit më të fuqishëm në Kosovë. Ndonëse pakkush e njihte. Rreth tij ishin ndërtuar rrëfime nga më hiperboliket – prej ekstremit pozitiv deri në ekstremin negativ. E mendonin si person i cili, nga prapaskena, dirigjon njerëz dhe ngjarje.

Misterioziteti i njeriut që kishte qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së, e pastaj Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, nisi transformimin në qershor 2008, kur u shfaq publikisht për të treguar se ky institucion e kishte kryer mandatin.

Më vonë, në intervistën e parë, në Zonën e Debatit, Kadri Veseli kishte dhënë sinjale se do të mund të ishte pjesë e politikës kosovare.

Rrugëtimin partiak e filloi më 2 nëntor 2012, kur zyrtarisht u bë pjesë e PDK-së së udhëhequr nga ish-bashkëluftëtari Hashim Thaçi. U emërua zëvendës i tij.

Më 8 dhjetor 2014, sipas marrëveshjes bashkëqeverisëse mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli fitoi pozitën e parë institucionale në shtetin e Kosovës. Kryeparlamentar.

Kur Thaçi u bë President, largimi obligativ nga posti i kryetarit të PDK-së ia hapi udhën që të bëhej lideri i dytë i partisë, gjë që ndodhi më 27 janar 2013.

Kadri Veseli edhe sot i mban këto dy poste – kryetar i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit, i rizgjedhur për herë të dytë më 7 shtator 2017.

Ditën e parë të vitit 2019, në intervistën e dhënë për Klan Kosovën ai vjen me një rrëfim të ndryshëm prej atij të zakonshmërisë partiako-politike. Flet për disa momente interesante të fëmijërisë, familjes, luftës dhe dashurisë…

INTERVISTA

– Çfarë ju ka pëlqyer më shumë dimrave kur keni qenë fëmijë: të rrëshqisni me saja apo me ski?
Veseli: Kur kam qenë fëmijë, bashkë me shokët kemi marrë paketime plastike të lëngjeve të ndryshme dhe nga ato i kemi rregulluar skitë e vogla.
– Si i ri, ku keni pasur dëshirë të studioni?
Veseli: Në Fakultetin Juridik.
– Cilin vend e doni më shumë: Mitrovicën apo Drenicën?
Veseli: Mitrovica është vendlindja ime. Natyrshëm, asnjë vend tjetër nuk është si vendlindja. Aty është fëmijëria dhe shumë kujtime tjera.
Drenica është krenaria ime, ku kam vepruar dhe më kanë mbajtur. Kam kaluar dhe kaloj shumë kohë në Drenicë. Jam shumë i lidhur me atë vend.
– A keni nostalgji për shampitet e ëmbëltores “Pehlivan”, në veri të Mitrovicës?
Veseli: Po, dhe do të shkoj shumë shpejt.

LUFTA
– Në përjetimin tuaj të luftës, cili është kujtimi juaj më i veçantë?

Veseli: Kam shumë momente që më kanë mbetur në kujtesë. Ka momente të fitoreve, të shpëtimit të ushtarëve nga rreziqet, kalimet nëpër kufi të të plagosurve.
Kanë qenë momente të rënda, por edhe të krenarisë. Pastaj janë momentet e pikëllimeve të mëdha për humbjen e shokëve tanë, takimet me familjarët e të rënëve, lajmërimi i tyre për humbjen. Janë momente që kurrë nuk i harroj; të rënda dhe krenare.

– Si e keni marrë nofkën “Luli”? Kush ua ka lënë?

Veseli: Në vitet e 90-ta, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë lëvizjeve tona, sidomos gjatë kalimit të kufirit për t’i ikur ekspozimit tek sigurimi serb, në Zonën Operative të Dukagjinit, më konkretisht në Jabllanicë, Lahi Ibrahimaj tha: “Do të të quajmë ‘Luli’. Dhe kështu mbeti për gjithë kohën.

– A e ruani akoma uniformën e UÇK-së?

Veseli: Po, e ruaj. Dhe jo vetëm atë, por edhe çkado tjetër që më ka shpëtuar.

– Nëse nuk do të ishit politikan, me çfarë do të merreshit?

Veseli: Unë jam pasionant i ecjeve nëpër bjeshkë. Me gjasë, do të isha një eksplorues në këmbë i maleve dhe bjeshkëve të shqiptare, por edhe vendeve tjera.

FAMILJA

– Kur jeni njoftuar me Violetën, të cilën tash e keni bashkëshorte?

Veseli: E kam njoftuar pak më herët se sa që ajo mendon   Violeta thotë se nuk e din këtë moment. Më vonë jemi afruar më shumë. Po flas për kohën pas luftës në Kosovë. Më herët nuk i kemi pasur edhe mundësitë të takohemi e të martohemi.

– Cilat janë gjasat që ndonjëri prej fëmijëve tuaj të bëhet politikan, ose politikane?

Veseli: Pyetje e rëndë kjo. Unë nuk dëshiroj t’ju përzihem atyre në zgjedhjet që bëjnë për profesionin e tyre. Do ta vendosin vet.

– Ku i bleni rrobat dhe këpucët? Kush ia zgjedh ato, a i tregon gruaja si duhet të vishet?
Veseli: Kur e vendos gruaja – s’kam alternativë tjetër. Ndonjëherë edhe vetë e vendosi, por ajo më shumë e thotë fjalën e fundit. I besoj shumë shijes së saj.

LARG POLITIKËS

– Cilin rapsod e dëgjoni më me qejf?

Veseli: Folklori ynë është pasuri kombëtare. Nuk është se me bie shpesh t’i dëgjoj, për shkak të angazhimeve dhe kohës me familjen. Në mendje tani kam Sali Bajramin, bijtë e Sefë Mleqanit, Rizah Bllacën e të tjerë.

– Çaj rusi apo kafe turke?
Veseli: Asnjërën.

– A keni menduar ta shkruani një libër për veten?
Veseli: T’ia lëmë kohës

– A shkoni për darkë të presidenti, ose a e ftoni në shtëpi?
Veseli: Takohemi shpesh.

Exit mobile version