Të hyrat që po realizon ndërmarrja Trafiku Urban në Prishtinë nga shitja e biletave nuk po mjaftojnë për pagesën e këstit të kredisë për blerjen e autobusëve të rinj. Përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje kanë thënë se me të hyrat që po realizojnë po mbulojnë shpenzimet operative, derisa Komuna sipas tyre po paguan këstet e kredisë. Për këtë të fundit nuk kanë folur përfaqësues të Komunës e përfaqësues nga opozita po thonë se Ndërmarrja po operon me humbje.
Ndërmarrja komunale Trafiku Urban në Prishtinë me paratë që po siguron nga shitja e biletave nuk po mund ta paguajë këstin e kredisë për blerjen e autobusëve të rinj.
Përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se me të hyrat që kanë po mbulojnë pjesën e pagave dhe të shpenzimeve të tjera, derisa sipas tyre këstet e kredisë po i paguan Komuna. Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës, por këta të fundit nuk janë përgjigjur as pas disa ditësh pritje.