Site icon Prishtinapress

Shukri Buja shpreson që pas dënimi të tij të liberalizohen vizat

Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, dënimin e tij të sotëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë e ka lidhur me faktin se procesi ndaj tij ka qenë një ndër rastet që Bashkimi Europian i ka ‘shënjestruar’ si kusht për liberalizim të vizave.

“Pas dënimit tim shpresoj të liberalizohen vizat”, ishin fjalët e para të Bujës pas shpalljes së aktgjykimit me të cilin ai u dënua me tre vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën kur e drejtontë komunën e Lipjanit.

Ai tha gjithashtu se rasti ndaj tij ishte “i orkestruar politikisht” por nuk pranoi të flasë më detajisht se kush mund ta ketë orkestruar atë.

“Por jam skeptik sepse orekstruesit e ndjekes tonë nuk po ndiqen”, tha Buja për kallxo.com pas dënimit.

“Janë njerëzit e politikës që nuk e duan konkurrencën politike”, tha ai kur u pyet kush janë ata që ai i quan orkestrues të ndjekjes ndaj tij.

“Nuk e akuzoj askënd me emër”, shtoi Buja.

Ai është shpallur fajtor të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me 3 vjet burg.

I akuzuari i dytë në këtë rast, Nebih Zariqi, është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi është gjetur fajtor.

I akuzuari tjetër, Fahri Ratkoceri është liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella është dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndvrrohet në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohet në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra janë liruar nga akuza.

Por disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës sepse ato janë parashkruar meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë në Komunën e Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë Prokuroria pretendonte se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Exit mobile version