Site icon Prishtinapress

Shoqata Farmaceutike distancohet nga farmacistët që po ngrisin çmimet e barnave

Shoqata Farmaceutike e Kosovës, përmes një komunikate për media është distancuar  nga çdo lloj abuzuesi të mundshëm që mund të ketë shfrytëzuar situatën e krijuar nga pandemia COVID 19, për të ngritur çmimet e barnave.

Në komunikatën e Shoqatës Farmaceutike thuhet se “duke qenë në vijën e parë të frontit, farmacistët komunitarë janë pika e parë e kontaktit si shërbim i parë shëndetësor, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm kanë dhënë ndihmën e tyre të parë në këshillimin e qytetarëve dhe funksionimin e barnatores duke u munduar të bëjnë furnizimet e vazhdueshme për plotësimin e nevojave të qytetarëve”.

“Shoqata Farmaceutike e Kosovës falenderon dhe i inkurajon të gjithë farmacistët dhe teknikët e farmacisë të cilët kanë bërë maksimumin e tyre në këto ditë mobilizimi mbi krizën e COVID-19”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

“Barnatorja mbetet pika më e afërt dhe më lehtë e qasshme nga qytetarët, prandaj edhe rrezikshmëria e ekspozimit ndaj rreziqeve potenciale-veçanërisht ndaj COVID-19 është në nivelin e parë të rrezikut. Farmacistët duke qenë në funksion të përgjegjësisë profesionale kanë vazhduar me dhënien e kujdesit ndaj qytetarëve duke qenë derë e hapur në orare të zgjatura në shërbim të qytetarëve përmes shërbimeve profesionale farmaceutik-mjekësor”.

“Në lidhje me shqetësimet e rritjes së çmimeve, përkundër rritjes së çmimeve të pajisjeve mjekësore në këto kohë në nivel global, Shoqata Farmaceutike e Kosovës distancohet nga çdo lloj abuzuesi të mundshëm që mund të ketë shfrytëzuar këtë situatë’.

Gjithashtu Shoqata Faramceutike e Kosovës, falenderon të gjithë zingjirin farmaceutik, distributorët e prodhuesit të cilët mundësojn furnizimin me produkte dhe pajisje medicinale dhe ky zingjir të funksionoj normalisht. Në të njejtën kohë iu bëjmë thirrje qytetarëve se, nga të dhënat e distributorëve tregu farmaceutik është i furnizuar për të paktën edhe me 2-3 muaj stog, dhe në të njejtën kohë furnizimi po vazhdon në mënyrë të zakonshme përmes funksionimit normal të AKPPM-së”.

Më tej thuhet se “Sektori farmaceutik do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve, me që rast edhe inkurajojm qytetarët që të konsultohen me farmacista për parandalimin nga infektimi me virusin COVID-19 dhe në të njejtën kohë të informohen mbi furnizimin me terapinë tjetër kronike”.

“Bari duhet të ruhet në kushte të veçanta, dhe ruajtja më e mirë është në barnatore, aty ku do ta gjeni në vazhdimësi. Do të jemi përherë partner të pandashëm të sistemit shëndetësor, duke kërkuar edhe nga organet më të larta të trajtohemi si të tillë-si profesionist shëndetsor dhe jo si shitës”.

“Dhe e fundit, ju bëjmë thirrje kolegëve tanë farmacista dhe teknikëve të farmacisë, të ndjekin masat e marrura nga organet përgjegjëse në mënyrë që të qëndrojm shëndetshëm dhe së bashku!”, përfundon komunikata.

Exit mobile version