Shoqata e Pacientëve kërkon që sa më shpejt të zbardhet rasti i 26-vjeçarit që vdiq në Qendrën e Studentëve

0
14

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka kërkuar nga organet përgjegjëse hetuese që sa më parë të zbardhet rasti i 26-vjeçarit nga Gjilani që vdiq në Qendrën e Studentëve.

Sipas kësaj Shoqate, rrethanat në të cilat ai është vendosur në karantinë janë të paqarta dhe është shumë e rëndësishme të dihet nëse ka pasur lëshime gjatë vendosjes në karantinë të të riut.“Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për vdekjen e një të riu të karantinuar në Qendrën Studentore. Përderisa rrethanat e vendosjes në karantinë dhe vdekjes së tij janë të pa qarta, ne si shoqatë kërkojmë nga Institucionet përkatëse që sa më shpejtë ta zbardhin këtë rast. Është shumë me rëndësi të dihet se a ka pasur lëshime individuale apo institucionale gjatë vendosjes në karantinë dhe a ka mundur që vdekja e tij të parandalohet. Nëse ka pasur lëshime duhet të ketë edhe përgjegjës për rastin kushdo qofshin ata! Është totalisht e papranueshme që dikush të vdes në duart e shtetit nëse një gjë e tillë ka mundur të parandalohet”, thuhet në reagimin e tyre.

“Ne falënderojmë pa masë gjithsecilin që ka ndihmuar në menaxhimin e kësaj pandemie, por lëshime të tilla janë të pafalshme! Konsiderojmë se në hetim për zbardhjen e rastit duhet të përfshihen edhe faktet si: A ka pasur ekzaminim mjekësor dhe psikologjik para se të futet në karantinë? A ka prezantuar ndonjë provë të shkruar ose gojore se ka ndonjë problem shëndetësor? Stafi menaxhues i karantinës a ka marr ndonjë informacion nga i ndjeri, familjarët e tij ose persona të tjerë se ai ka probleme psiqike? … Presim nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë të dalin me rezultate konkrete”, thuhet në këtë reagim.

Pas rastit, ekipet e Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku të njëjtin person e kanë dërguar në QKUK, por që nuk ka mundur t’i përballojë plagëve të marra.

Shefi i Emergjencës, Gëzim Mustafa, ka treguar se 26-vjeçari ka arritur në QKUK me fraktura të rënda kryesisht në bazën e kokës.

“Rreth orës 17:45 e kemi konfirmuar vdekjen. Ka ardhur me shenja të rënda në bazën e kokës. Ka pasur gjakderdhje nga veshët hunda dhe goja dhe fraktura të mëdha. Pra lëndimet kanë qenë vdekjeprurëse”, ka thënë Mustafa.

Qendra e Studentëve në Prishtinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nga përhapja e coronavirusit në Kosovë është shndërruar në karantinë për shtetasit kosovarë që vijnë nga shtetet e ndryshme. /Telegrafi/