Site icon Prishtinapress

Shmangia e krizës politike, partitë kërkojnë që presidenti të zgjidhet nga populli

Partitë politike në vend me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje po kërkojnë që presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Megjithëse s’po gjejnë pajtueshmëri që kreu i shtetit të zgjidhet në këtë legjislaturë, LDK, PDK dhe AAK dakordohen që në kuadër të reformës zgjedhore të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. E gjithë kjo për t’iu shmangur, siç thonë krizave politike që vazhdimisht po sjell zgjedhja e të parit të vendit. Por me këto vlerësime nuk pajtohen në partinë e Albin Kurtit dhe nga shoqëria civile.

Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Shkëmb Manaj thotë për KosovaPress se mos konsensusi për presidentin po sjell kriza të vazhdueshme në vend.

Sipas tij, partitë politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët që presidenti i vendit në të ardhmen të burojë drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.

Manaj: Presidenti të zgjidhet nga qytetarët

“Urgjentisht të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvend duhet të ulen dhe të mendojnë seriozisht për reformën zgjedhore dhe Kushtetuese. Përfshinë e plotësim-ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, por edhe ligjet për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale. Unë mendoj që është mirë të shikohet se në kuadër të reformës zgjedhore që të bëjë vendi ynë, presidenti i Republikës të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës sepse edhe kompetencat çfarë i ka si unifikues, do të ishte mirë të burojë drejtpërdrejte nga populli i Kosovës dhe pastaj të mos kemi probleme. Ju po e shihni se nëse nuk po arrijmë të zgjedhim presidentin e Republikës kjo po afekton edhe në qeverisje dhe rrjedhimisht te shpërndarja e Kuvendit”, thotë ai.

Me një qëndrim të tillë pajtohet edhe deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, e cila thotë se zgjedhja e presidentit nga qytetarët tashmë është kërkesë e kohës.

Thaçi-Dragusha: Është kërkesë e kohës që presidenti të zgjidhet nga qytetarët

“Mendoj që është një kërkesë e kohës që të mendohet që presidenti, ose presidentja të zgjidhet direkt nga qytetarët e Kosovës. Pozita e presidentit duhet të shërbejë ashtu siç është në Kushtetutë si pozitë unifikuese dhe jo bllokuese. Në këtë moment kemi një rast të tillë kur vet zgjedhja e presidentit po shërben si bllokim për institucionet e Kosovës, por edhe jetën normale në Kosovë. Kemi pasur iniciativa në të kaluarën që kanë mbet aty, mirëpo mendoj që reforma zgjedhore duhet të fillojë në të ardhmen e afërt dhe aty të shikohet mundësia qe presidenti të zgjedhet nga qytetarët e Kosovës”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK thotë se partia që përfaqëson do të përkrahë çdo reformë zgjedhore dhe kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Lekaj: Aleanca përkrah çdo reformë

“Aleanca përkrah çdo reformë zgjedhore edhe nëqoftëse dakordohemi që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejtë me votën e qytetarëve”, thotë ai.

Por me argumentet e tri partive, nuk pajtohet deputeti i LVV-së, Dimal Basha.

Ai thotë se problemi nuk ekziston me Kushtetutën, apo me ligjin për presidentin, por me partitë politike dhe mendësinë e tyre.

Basha: Problemi për zgjedhjen e presidentit nuk ekziston te Kushtetuta

“Në një vend normal sikur të ruhej fryma kushtetuese, ku kërkohet një president që përfaqëson unitetin e popullit, kjo nuk do të ishte problem. Problemi nuk ekziston me Kushtetutën, apo me ligjin për presidentin, sa ekziston me partitë politike dhe mendësinë e tyre brenda Kuvendit…ne mendojmë sikur Republikë parlamentare sikur të ruhet fryma kushtetuese nuk do të ishte problem për asnjë subjekt politikë për me votua për një president konsensual, apolitik që përfaqëson unitetin e popullit. Problemet janë subjektet politike, jo kushtetuta, apo forma e rregullimit për zgjedhjen e presidentit”, deklaron ai.

E, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se nuk është zgjidhje ndryshimi i Kushtetutës për presidentin sepse mungesa e konsensusit nuk përbën detyrim që të ndryshohet baza juridike e vendit.

Loxha: Nuk është zgjidhje ndryshimi i Kushtetutës për presidentin

“Ne konsiderojmë se është shumë shqetësues fakti që po tentohet të adresohen pakënaqësitë, ose mungesa e konsensusit të spektrit politik duke ndryshuar bazën juridike të vendit. Ne konsiderojmë se kjo është një qasje e gabuar se baza juridike e cila rregullon parimet e shtetit nuk duhet të ndryshohet për t’iu përshtatë interesave aktuale të partive politike, ose qeverive. Pra ne nuk konsiderojmë se është zgjidhje ndryshimi i Kushtetutës, sepse mungesa e konsensusit nuk përbën detyrim që të ndryshohet baza juridike e vendit, sidomos duke pas parasysh se kjo i rregullon parimet e shtetit. Ajo çfarë realisht duhet të ndodh është që të ndryshohet koncepti i presidentit në mesin e partive politike. Ashtu siç e përcakton edhe Kushtetua, presidenti duhet të jetë figurë politike, e jo të përfaqësojë interesa partiake. Ne konsiderojmë se partitë politike duhet të arrijë një maturi të heqin dorë nga kapja e institucioneve, që realitet duhet të përfaqësojnë unitetin e popullit”, thotë ajo.

Spektri politikë në vend edhe në të kaluarën ka tentuar që në kuadër të reformës zgjedhore presidenti i vendit të zgjidhet nga qytetarët. Mirëpo tash e disa vite një gjë e tillë nuk po jetësohet.

Exit mobile version