13 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Shkruan Berat Buzhala: Thaçin duhet ta eliminojmë, sikur ky Rugovën

Nëse në vitin 1999 Rugova ishte detyruar që t’ia lëshonte vendin Thaçit për hir të kompromisit, ani pse President i zgjedhur, tash duhet të detyrohet Thaçi t’ia lëshojë vendin dikujt tjetër. Thaçi është çdo gjë përveç faktor i unitetit politik dhe shoqëror. Titulli që mban është në kundërshtim të plotë me atë se çfarë ai personalisht përfaqëson.

Në vitin 1999, një vit pasiqë mbi 90 për qind e votuesëve në Kosovë e kishin votuar LDK’në dhe Ibrahim Rugovën në mënyrë plebishitare, ky i fundit ia kishte hapur krahun rivalit të tij politik, Hashim Thaçit, që t’i printe delegacionit të Kosovës në Rambuje, në negociatat me palën serbe, për të ardhmën e Kosovës.

Në atë kohë, në shkurt të vitit 1999, Hashim Thaçi, vetëm 30 vjecar, ishte një emër pothuajse anonim për shumicën e qytetetarëve të vendit. Për legjitimitet politik as mos të flasim. Ai nuk ishte votuar kurrë nga askush, por ia që Rugova e pranoi për udhëheqës të tij.

Gjendja në terren, pushka në krah, e relativizonte fuqinë e votës. Ibrahim Rugova, si një intelektual, por edhe si një njeri me tolerancë të theksuar karshi kundërshtarëve, e kishte degraduar vetën, duke u bërë vetëm njëri prej anëtarëve të delegacionit.

Një hap i tillë i Rugovës e kishte zhbllokuar krizën politike në mes të shqiptarëve. Ai nuk u frikësua që simbolikat e këtilla, se kush është bajraktar e kush në bisht të zhvillimeve, do t’ia dëmtonin reputacionin e tij te qytetarët. Se ishte kështu u pa pas dy vjetësh, në zgjedhjet e para të organizuara në Kosovën e lirë. Rugova i kishte ikur udhëheqësit kablushan të delegacionit të Kosovës me rreth 40 për qind të totalit të votave.

Në shkurt të vitit të ardhshëm bëhen 20 vjet prej kur kishte ndodhur ngjarja historike në Rambuje. Në ndërkohë ka vdekur Ibrahim Rugova, edhe lufta ka mbaruar, por konstante mbetën inatet politike dhe mosgatishmëria për kompromis. Gjithashtu, edhe tash, sikur atëherë, është kritikisht e rëndësishme që klasa politike të jetë unike, përball kërkesave cdo ditë e më tepër në rritje, për një marrëveshje finale me Serbinë.

Mirëpo pengesa kryesore, ose burimi i pashtjerrshëm i tensioneve politike, vazhdon të mbetët Hashim Thaçi, President i vendit.

Një manipulant i papërmirësueshëm, Thaçi përgjatë këtyre 20 vjetëve jetë politike ka pasur kohë të mjaftueshme për ta mashtruar secilin person që e ka njohur së paku nga një herë. Shumë syrësh edhe dy e më shumë herë. Një veprimtari e tillë, përplot gënjeshtra dhe intriga, e ka mbajtur Thaçin mbi ujë për dy dekada, mirëpo po kaq gjatë i ka mbajtur nën ujë shpresat dy milionë qytetarëve të vendit – për një jetë më të mirë. Sigurisht që ky as nuk ka qënë preokupim i tij.

Mirëpo, mashtrim pas mashtrimi, manipulim pas manipulimi, rruga politike e Thaçit, e bashkë me të edhe ajo e Kosovës, ka ardhur duke u ngushtuar deri në një impasse. Askush më nuk është i gatshëm që të shtrihet dhe bëhet urë në mënyrë që Thaçi të kalojë mbi të pa u stërpikur. Kuptohet, përvec Pacollit.

Janë dy arsye përse Thaçi duhet të mbahet nën sanksione të plota. Në një, duhet që mëgjithatë ai të shërbejë si një reklamë e gjallë që mashtruesit në fund mbesin të vetmuar dhe pa aleat – pra, që të ecurit mbi trupa njerëzish nuk është kurrfarë vlere. Dhe nën dy, për shkak të kauzës që ka zgjedhur për të mbijetuar – ndarja e vendit për arsye personale.

Edhe për shkak të arsyes së parë, por edhe për shkak të arsyes së dytë, Thaçi është duke i bërë një dëm të madh vendit, me qasjen e tij në arenën ndërkombëtare, si President i vendit. Ai në një mënyrë të pashembulltë është duke i tradhtuar aleatët tradicional të Kosovës, sic janë Gjermania dhe Britania e Madhe, në favor të partnerëve të tij personal, disa lidhje të dyshimta me Francën, apo edhe flirtimi transparent me politikan radikal në administratën e Trumpit, sic është John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare, kundërshtar i ashpër i pavarësisë së Kosovës.

Këtë mënyrë të të bërit politik Thaçi e ka zgjedhur ta bëjë në kohën kur e gjitha skena politike botërore është në turbulenca të mëdha. Ai më lëvizje të tilla avantureske po e shndërron Kosovën në një monedhë eventuale kusuritje në mes të fuqive të mëdha, duke e ekspozuar politikisht si kurrë më parë. Imagjinojeni sikur të mos ishte kjo Gjermani që është tash, dhe sikur të mos ishte në krye të saj Angela Merkel.

Mirëpo një gjë e tillë nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Një ditë as kjo Gjermani, e as Angjela Merkel, nuk do të insistojë ta mbrojë Kosovën nga udhëheqësit e saj, në këtë rast nga Presidenti i saj. Miqtë dhe aleatët supozohet të të përkrahin prej rreziqeve të jashtme, e jo nga sabotatorët e brendshëm.

Për këto arsye, dhe për shumë të tjera, ata që nuk i ndajnë të njëjtat pikëpamje me Thaçin, nuk duhet që ta presin në gjumë dështimin final të tij. Ai mund të dështojë politikisht vetëm nëse të tjerët e detyrojnë që të dështojë. Pastaj askush nuk duhet që t’i gëzohet dështimit të tij, nëse bashkë me të dështon edhe Kosova. Kjo nuk do të ishte kurrfarë fitore.

Sigurisht që askush nuk e ka në dorë një formulë ideale për të dalë nga kriza politike. Ndoshta një formulë ideale as që ekziston, mirëpo ka formula të provuara prej vetë nesh që duhet t’i rikthejmë në vëmendje. Njërën prej tyre do ta gjeni në krye të këtij shkrimi.

Nëse në vitin 1999 Rugova ishte detyruar që t’ia lëshonte vendin Thaçit për hir të kompromisit, ani pse President i zgjedhur, ani pse rival e kishte dikë që nuk kishte kurrfarë mandati; tash duhet të detyrohet Thaçi që t’ia lëshojë vendin dikujt tjetër, prapë për hirë të kompromisit. Thaçi është çdo gjë tjetër përveç faktor i unitetit politik dhe shoqëror. Titulli që mban është në kundërshtim të plotë me atë se cfarë ai personalisht përfaqëson.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles