Site icon Prishtinapress

Shkarkimi i Bolton “gëzoi” shqiptarët

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, është zyrtari i radhës i lartë i Administratës së Presidentit Trump që largohet nga detyra.

“E njoftova mbrëmë John Bolton-in se shërbimet e tij nuk nevojiten më në Shtëpinë e Bardhë”,  shkroi Presidenti Donald Trump, në rrjetin social Tuitër. “Nuk isha dakord me shumë propozime të tij, ashtu si edhe shumë të tjerë në Administratë…”

John Bolton shihej si një zyrtar i linjës së fortë në çështjet e sigurisë dhe të jashtme. Ai besohej se ishte edhe arkitekt i politikës së përplasjes me Iranin.

Nga ana tjetër, ky largim thellon ritmin e lartë të vajtje-ardhjeve në administratën e Presidentit Trump ku ish-zyrtarët ankohen për vështirësi komunikimi dhe një prirje të kreut të Shtëpisë së Bardhë për të ndryshuar shumë shpesh mendjen për tema të rëndësishme.

Shumë shqiptarë e panë me dyshim ngjitjen në detyrë të ish-diplomatit John Bolton për shkak se kishte qenë një nga zërat e rrallë amerikanë që kishin folur publikisht kundër pavarësisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Bolton ka qenë nga zërat më radikalë kundër rikthimit të Rusisë si një forcë negative në politikat ndërkombëtare dhe kjo i ka inkurajuar disa që druheshin nga dobësia e Perëndimit përballë kërcënimit rus.

Gjatë qendrimit të tij relativisht të shkurtër në detyrë, Këshilltari Bolton ka pasur disa takime me zyrtarë të lartë të Serbisë dhe disa komentues në botën shqiptarë e kanë lidhur me të, ndoshta gabimisht, projektin e një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do të sillte njohjen e pavarësisë nga Beogradi. Ideja e marrëveshjes është paragjykuar dhe dënuar gjerësisht në Kosovë e në botën shqiptare, përshkak të mundësisë së shkëmbimit të territoreve ose lëvizjes së kufijve në mënyrë të atillë që mund të çojë në lënien jashtë Kosovës së tre rajoneve me shumicë serbe, shkruan TCH.

Bolton vetë nuk ka sugjeruar ndonjëherë publikisht ndryshimin e kufijve, po ka deklaruar se SHBA do të mbështeste çfarëdo marrëveshje që firmosej si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova.

Dyshimet e shqiptarëve u shtuan kur pas takimit së Këshilltarit Bolton, me ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq, ky i fundit deklaroi me pompozitet se Serbia nuk është kuptuar ndonjëherë më mirë në Washington.

Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, ka reaguar pas lajmit se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shkarkuar nga posti këshilltarin e tij për Siguri Kombëtare, John Bolton, i konsideruar si armiku numër një i Kosovës.

“Durimi ne diplomaci eshte domosdoshmeri. Ka kohe qe miqte tone te mire, na kane bere me dije se John Bolton i ka ditet e numeruara ne Shtepine e Bardhe”, ka shkruar Berisha, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook.

“I lumtur qe presidenti Trump i kerkoi dorëheqjen”, është shprehur Berisha, zëvendësministër në largim i Punëve të Jashtme i Kosovës.

Sipas tij, largimi i Boltonit është “lajm i mire per shtetin e Kosoves; lajm i keq per lobistet e bashkuar armiq te shtetesise tone, qofshin brenda hapesires shqiptare, qofshin ne Serbi”.

Pavarësisht nga këto dyshime e besime, politika e jashtme amerikane gatuhet në Departamentin e Shtetit dhe jo nga Këshilltari i Sigurisë. Mbetet për t’u parë sesa ndikim ka pasur vërtet Këshilltari Bolton, apo nëse ka ndryshuar vërtet nga ardhja e sidomos ikja e tij në qendrimet amerikane.

Një sinjal padyshim do të ketë qenë pranimi nga Presidenti Trump i një nisme franceze për rivendosjen e një dialogu mes SHBA-së dhe Iranit. Po ashtu për herë të parë është lënë hapësirë për një takim të mundshëm të Presidentit Trump dhe Presidentit Hassan Rouhani të Iranit.

Bolton ka udhëtuar në Shqipëri për t’u takuar me një grup të qëndresës së armatosur kundër regjimit fetar në Iran. Me zgjedhjen e tij rëndësia e këtyre muxhahedinëve që ka pranuar të strehojë Shqipëria ishte rritur shumë.

Exit mobile version