Shkaku i mungesës së bursave, studentët e Edukimit nesër bojkotojnë mësimin

0
24

Këshilli Studentor i Fakultetit të Edukimit ka paralajmëruar se nesër do të bojkotojnë mësimin si pasojë e vendimit të MASHT-it për të mos i përfshirë studentët e këtij fakulteti në skemën e bursave.

Ata thonë se do t’i mbrojnë të drejtat e studentëve me çdo kusht.

“Duke parë rrjedhën e ngjarjeve të cilat po i dëmtojnë studentët tonë më meritorë duke i anashkaluar nga bursa, kemi vendosur që të drejtat e studentëve t’i mbrojmë me çdo kusht deri në realizimin e kërkesave të tyre. Kështu ne në koordinim me kryetarët e grupeve të studentëve nga të gjitha departamentet e FE (programet Bachelor dhe Master) kemi marrë vendim që nesër me datën 07.11.2019 nga ora 10:00 ta bojkotojmë mësimin”, thuhet në këtë njoftim.

Përfaqësuesit e studentëve nga këto fakultete kanë kërkuar nga ministri Shyqiri Bytyqi që ta anulojë konkursin në të kundërtën kanë thënë se nuk i ndalin protestat.

Por MASHT ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshim të konkursit për bursa, gjë e cila ka shtyrë studentët të paralajmërojnë bojkot të procesit mësimor.

Po ashtu Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje.