Site icon Prishtinapress

Shfuqizimi i vendimit për emërimin e 14 konsujve, kërkohet të rishikohen edhe vendimet për shefat e misioneve diplomatike e Konsujt e Nderit

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca një ditë më parë ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimeve të kundërligjshme, në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, ndërkaq lidhur me këtë ka reaguar edhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, duke i propozuar Konjufcës të rishikoj edhe vendimet për shefat e misioneve diplomatike e Konsujt e Nderit.

Ky vendim i Konjufcës atakoi 14 konsuj në disa Ambasada të Republikës së Kosovës në botë.

“Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca duke u mbështetur në nenin 93, (paragrafi 4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe sipas neneve 10,11 të Ligjit nr 06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjensive të Pavarura, neni 53 (paragrafi 1) dhe neni 55 (paragrafi 1 dhe 2) të ligjit Nr 05/L-03 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 23 (paragrafi 2), të ligjit Nr 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 8 (paragrafi 1,4 ) të Rregullores 02/201, për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive ka marrë këtë Vendim për Shfuqizimin e Vendimeve të Kundërligjshme, në kundërshtim me nenin 20 te Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Xheraldina Rexhepi – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë/Austri; Festim Lushtaku – Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Tiranë/Shqipëri; Kadri Balaj – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë/Mali i Zi; Henor Pakashtica – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje/Bullgari; Xhavit Gerbeshi – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Duseldorf/Gjermani; Ngadhnjim Makolli – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kanberra/Australi; Ramiz Ismajli – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi/EBA; Ismet Hajdini – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë/Çeki; Modesta Imeri – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington/Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Eshref Haxhiu – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Doha/Katar; Kadri Gërvalla – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Gjermani; Lutfi Bilalli – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Gjermani; Liridon Sadrija – Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës se Kosovës në Hamburg/Gjermani;  Diellza Hoti – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në EBA”.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, duke i propozuar Konjufcës të rishikoj edhe vendimet për shefat e misioneve diplomatike e Konsujt e Nderit.

Në reagimin e PIPS, thuhet se ata në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë thirrje për respektim të legjislacionit në fuqi në raport me shërbimin diplomatik e konsullor të Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, ky shërbim ka vuajtur nga ndërhyrjet politike duke dëmtuar përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

“Punimet monitoruese të PIPS kanë ngritur shqetësime publike për shkeljet ligjore në proceset e emërimit, rotacionit, gradimit dhe kthimit nga detyra në shërbimin diplomatik. Gjatë mandatit të Qeverisë së fundit vendimet e politikës së jashtme kosovare janë përshkuar nga mosrespektimi i kritereve, që ka mundësuar rritjen e praktikës së diplomacisë personale, të filluar shumë vite më herët. Vendimi i sotëm duhet të shihet si fillim i vendosjes së praktikave meritokratike brenda shërbimit diplomatik, që do t’i mundësonin qytetarëve kosovarë një përfaqësim ndërkombëtar të denjë, ashtu siç e meritojnë, ndër tjera duke vënë në pah vlerat paqedashëse dhe demokratike të shoqërisë kosovare. Shërbimi diplomatik profesional është absolutisht qenësor për Kosovën, që të zbatojë një politikë të jashtme efektive dhe me rezultate”, thuhet në reagimin e PIPS-it.

Për më tepër, PIPS vlerëson që Konjufca duhet të rishikojë mundësitë për të adresuar shkeljet ligjore në disa kategori.

“PIPS vlerëson që Ministri Konjufca duhet të rishikojë mundësitë për të adresuar shkeljet ligjore në këto kategori: Shefat e misioneve diplomatike sipas çelësit politik, të riemëruar për së dyti në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme; Të dërguarit nëpër Ambasada të emëruar pas datës 19 korrik 2019, domethënë pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj; Të rishikojë të gjitha vendimet për emërimin e Konsujve e Nderit; Të rishikojë në mënyrë të detajuar procesin e emërimit të Shefave të Misioneve aktual, duke qenë se ka pasur ankesa në Komisionin për Punë të Jashtme se një apo më shumë Shefa Misionesh janë dërguar në detyrë pa u intervistuar nga Komisioni që përbën shkelje ligjore”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/

Exit mobile version