Site icon Prishtinapress

SHBA përgëzon Shqipërinë: Forcoi sigurinë kufitare, dëboi ambasadorin iranian

SHBA përgëzoi Shqipërinë për përpjekjet e shtuara në forcimin e sigurisë kufitare, ndalimin e suksesshëm të terroristëve të njohur apo të dyshuar, si dhe për hapat drejt përmbushjes së plotë të rezolutës 2396 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, për të përmirësuar kontrollin e pasagjerëve që hyjnë në Shqipëri në rrugë ajrore.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot raportin e vendeve për Terrorizmin, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në raport, DASH vlerëson se Shqipëria vazhdoi mbështetjen e saj të fortë ndërkombëtare.

DASH thekson se kërcënimi i terrorizmit në Shqipëri vjen nga të kthyerit nga Iraku dhe Siria.

“Shqipëria vazhdoi mbështetjen e fortë për përpjekjet ndërkombëtare kundër terrorizmit në vitin 2018 dhe pjesëmarrjen në koalicionin global kundër ISIS”, nënvizohet në raport duke shtuar se “në dhjetor, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë duke përfshirë këtu ambasadorin iranian në Shqipëri, në përgjigje të një komploti të financuar nga Irani për të kryer një sulm terrorist në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH.

Më tej në raport theksohet se “Shqipëria po mban një sistem të mbikëqyrjes së sigurisë së portit për të përmbushur plotësisht kërkesat sipas Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Transportit dhe Portit të Organizatës Ndërkombëtare Detare. Zbatimi i ligjit shqiptar rriti përpjekjet për të luftuar kërcënimet e mundshme terroriste. Njësia e Antiterrorizmit e Policisë së Shtetit (CTU) punoi ngushtë me agjencitë e SHBA-së për të përshtatur kërkesat e qeverisë shqiptare për pajisje dhe trajnim me ekspertizën dhe burimet e SHBA-së.

Përmes pjesëmarrjes në programin e Ndihmës së Antiterrorizmit të Departamentit të Shtetit, CTU mori trajnime të mëtejshme mbi hetimet duke filluar nga rrjeti i errët (dark web), deri tek administrimi i çështjeve të ndërlikuara të terrorizmit. Pavarësisht mungesës së burimeve, CTU mori gjithashtu pjesë në disa ndërhyrje të suksesshme të terroristëve të njohur ose të dyshuar.

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka zhvilluar plane dhe aftësi emergjente për të parandaluar dhe reaguar ndaj sulmeve terroriste kundër personave lehtësisht të shënjestruar. Përpjekjet e financuara nga SHBA-ja vazhduan të sigurojnë mbikëqyrje, ndihmë dhe trajnim për prokurorët, zyrtarët e zbatimit të ligjit, hetuesit financiarë, analistët e inteligjencës dhe gjykatësve nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Ndër të tjera në raport theksohet se “reformat kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin janë në zhvillim, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë për korrupsion, aftësinë e tyre dhe lidhjet me krimin e organizuar”.

“Që nga dhjetori i vitit 2018, Komisioni i Vetingut dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit pushuan nga puna 30 gjyqtarë, konfirmuan 31 gjyqtarë të rinj, si dhe shënuan 16 dorëheqje gjyqësore që paraprinë procesin e Vetingut. Për më tepër, në dhjetor, Shqipëria themeloi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, organe këto që do të shërbejnë si shtylla të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. KLP mundëson krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm. Shqipëria është në proces të zbatimit të sistemit të bazës së të dhënave për kontrollin kufitar, PISCES, që do të përmirësojë menaxhimin e kufijve shqiptarë dhe kontrollimin e udhëtarëve, si dhe do të plotësojë më gjerësisht sistemin e Menaxhimit të Informacionit Total për të siguruar më mirë kufijtë nga terrorizmi”, deklaron DASH.

“Shërbimet e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë gjerësisht me INTERPOL-in dhe organet e tjera ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. Shqipëria po kërkon të zbatojë UNSCR 2396, në lidhje me të dhënat biometrike, një proces që është në vazhdim dhe do të përmirësojë kontrollin e pasagjerëve që hyjnë në vend me anë të transportit ajror”, thuhet në raportin e publikuar sot nga DASH./ATSH/

Exit mobile version